Zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko paralajmëruar se Perëndimi do të përballet me rreziqe kolosale nëse vendos të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë F-16. Mediat e huaja raportojnë se, deklarata paralajmëruese e Grushko vjen pasi presidenti i SHBA Joe Biden u tha udhëheqësve të G7 të premten se Uashingtoni mbështet programet e përbashkëta aleate të trajnimit për pilotët ukrainas në luftëtarët F-16.
“Ne shohim se vendet perëndimore po i përmbahen ende skenarit të përshkallëzimit. Ai përfshin rreziqe kolosale për veten e tyre. Në çdo rast, kjo do të merret parasysh në të gjitha planet tona dhe ne i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për të arritur objektivat që kemi vendosur,” citohet të ketë thënë Grushko.
SHBA deklaron se do të lejojë aleatët e saj perëndimorë të furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë të avancuar, duke përfshirë F-16 të prodhimit amerikan. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden informoi homologët e tij të G7 për vendimin në samitin e bllokut në Japoni të premten. Sullivan tha se trupat amerikane do të trajnojnë gjithashtu pilotët e Kievit për përdorimin e avionëve. Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë të avancuar dhe presidenti Volodymyr Zelenskyy e përshëndeti këtë veprim si një vendim historik