Rusia deklaroi gjatë ditës së sotme se kishte vrarë 600 ushtarë ukrainas nga një sulm i vetëm me raketa në qytetin e Kramatorsk. Në një deklaratë të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes u tha se ata po qëndronin në një hostel të qytetit, i cili u shkatërrua. Por këto pretendime u rrëzuan nga autoritetet ukrainase, si dhe nga mediat.
Agjencia e Lajmeve ‘Reuters’ dërgoi 2 gazetarë të saj në vendin e ngjarjes. Sipas tyre, sulmi kishte hapur një gropë në oborrin e konviktit, por ndërtesat nuk ishin cënuar përveç thyerjes së xhamave dhe nuk u panë shenja për viktima. Sipas të njëjtave burime, në godina nuk dukej të kishte pasur as shenja se ato ishin të banuara.
Edhe kryebashkiaku i Kramatorsk tha më herët se nga sulmi nuk kishte pasur viktima. Nëse lajmi do të ishte i vërtetë, ky do të ishte goditja më e madhe ndaj trupave ukrainase që nga nisja e pushtimit rus.