Shqipëria është përfshirë mbrëmjen e djeshme duke vijuar edhe sot nga reshjet e dendura të shiut të cilat kanë shkaktuar përmbytje, kryesisht në veri të vendit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kryeqyteti ishte qarku më pak i prekur nga reshjet e shiut.
Gjatë fjalës së tij në një aktivitet të zhvilluar nga Ambasada e Katarit, Veliaj tha se falë ndërhyrjeve në kohë të ekipeve në terren, reshjet nuk kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme, ndërsa shtoi se Bashkia e Tiranës do t’i vijë në ndihmë qarqeve më të prekura, si Shkodra e Lezha.
“Fatmirësisht, Tirana është një nga qarqet më pak të prekura dhe dua të falënderoj kolegët që kanë punuar me kanalizimet, me sistemet e kullimit, dhe sot jemi në gjendje të mirë. Jam i sigurt se duke filluar nga nesër, bashkë me miqtë e Katarit, do i gjendemi qarqeve si Shkodra apo Lezha, për t’u siguruar që të plotësojmë nevojat me ndihmën e Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Katarit dhe miqve të tjerë,” deklaroi ndër të tjera Veliaj.
Risjellim në vëmendje se i gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq por, problemet më të mëdha janë raportuar në veri të vendit, ku dhe sasia e reshjeve ka qenë më e madhe.