Në lokalitetin Koria, në jug-perëndim të Spanjës, lumi është tejmbushur dhe shirat vazhdojnë.
Edhe pse rrugët janë përmbytur, autoritetet besojnë se më e keqja ka kaluar. Banorë të shumtë, të ndihmuar nga ekipet e emergjencës, kanë dalë për të pastruar rrugët.
Ndërkohë, moti i acartë në Gjermani, i shoqëruar nga shira të akullta, ka paralizuar transportet. Vetëm në aeroportin e Mynihut u anuluan 133 fluturime, duke lënë mijëra pasagjerë në tokë.
Edhe kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi, është mbuluar nga shtresa e bardhë e borës së dendur.
I ftohti ka kufizuar lëvizjen e njerëzve, të cilët janë detyruar të zgjedhin mjetet personale dhe autobusët për të qarkulluar në rrugët e ngrira.
Ndërkohë, të paktën tre persona kanë vdekur teksa një stuhi e fuqishme dimërore ka përshkuar Shtetet e Bashkuara, duke sjellë tornado në shtetet jugore dhe duke mbuluar të tjera me dëborë.
Dy nga viktimat, një djalë dhe e ëma humbën jetën në Luiziana, kur shtëpia e tyre u shkatërrua nga një tornado.
o.j/dita