Moti i keq, policia në terren, apel shoferëve: Kujdes shpejtësinë

Policia e Shtetit ka zbarkuar në terren për t’i paraprirë çdo situate për shkak të motit të keq.

Përmes një njoftimi, policia i bën apel drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes dhe të shmangin shpejtësinë.

Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë Rrugore, ato të Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve, në rast nevoje, si pasojë e motit të keq. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në të gjitha qarqet janë ngritur dhe funksionojnë grupet e drejtimit.

Po mbahen kontakte me pushtetin vendor dhe me firmat kontraktore, për pastrimin e atyre segmenteve në të cilat ka rënie inertesh.

Të gjithë inspektorët e Policisë në zona ndodhen në zonat e tyre dhe janë në kontakt me administratorët e njësive administrative dhe me kryepleqtë e fshatrave, për t’iu ardhur në ndihmë në rast nevoje.

Nisur nga moti i keq me reshje shiu të dendura, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa akse rrugore ka prezencë të ujit në rrugë dhe rënie inertesh.

Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse dhe t’u japin përparësi këmbësorëve, në vijat e bardha.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *