Sapo territori i vendit tonë përfshihet nga moti i keq, akset kombëtare rrugore kthehen në problematike, madje disa edhe në kurthe të rrezikshme për shoferët.
Diku përmbytje, diku rrëshqitje dherash ose gurësh, diku akull e ngrica, e gjithë kjo sepse mirëmbajtja është diçka që i lihet vetëm situatës, pasi çdo gjë kalon në ekstrem.
Por Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar sot se deri tani, nuk ka asnjë aks të bllokuar për qarkullimin e automjeteve si pasojë e motit të keq.
ARRSH bën me dije se kontraktorët kanë bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteneve dhe janë në gatishmëri.
“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje me intensitet mesatar, por pa penguar qarkullimin në akset nacionale
Kontraktorët kanë bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës dhe janë në terren gati për çdo situatë”,- thuhet në njoftim.
ARRSH u bën apel shoferëve, të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalestikën rrugore dhe të reduktojnë shpejtësinë, për shkak të lagështisë në rrugë.
/Priza.al/