Mozaiku ‘Shqipëria’, Margariti: Restauruam atë çfarë gjetëm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me diskutimin mbi retushimin që i është bërë 30 vjet më parë Mozaikut “Shqipëria” vendosur në vitin 1981 në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Disa janë besnikë të ruajtjes së një vepre në origjinal, e ndërsa të tjerë e shikojnë me skepticizëm ekspozimin e një mozaiku që thërret sipas tyre përmes simboleve të diktaturës. Ministrja Margariti ka shpjeguar  se retushimi i veprës së artit i është përmbajtur restaurimit që i është bërë veprës në vitin 1993, kur me vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që të hiqeshin simbolet komuniste. Ndër të tjera thekson se asgjë nga vepra nuk është fshirë, por është restauruar ajo çfarë është gjetur. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Margariti shtoi se restaurimi që u realizua me fondet e BE-së, ishte një nevojë emergjente për ta shpëtuar këtë vepër arti, pasi ishte degraduar.

“Duhet të ndahemi sa i përket epokave dhe artit që kanë gjeneruar epoka të ndryshe, se sa është e drejtë për ti rishikuar, fshirë apo ngjallur. Në Ministrinë e Kulturës çdo gjë që lidhet me çdo periudhë, duhet parë në konceptin e artit në vetvete. Duhet futur në një kontekst historik. Fjala restaurim sjell në vëmendje faktin e retushimit të gjendjes aktuale që ne e gjejmë veprën e artit. Vetë konventa e Parisit kur flet për restaurimin nuk flet për nxjerrjen në pah ose retushim, por restaurimin e asaj çfarë është gjetur.

Ne nuk fshimë asgjë nga vepra artistike, ne restaurojmë atë çfarë kemi gjetur, është një vendim i ’93, që ka lindur si një politikë shumë të madhe për fshirjen totale të simbolit të komunizmit. Ka qenë gati për heqjen, vendimi ka ardhur më pas jo për heqjen totale, por kanë retushuar ato simbole, për ideologjinë e asaj kohe është parë shqetësuese. Sa i përket vendimmarrjes sonë, i jemi përmbajtur restaurimit, vendimit të Këshillit të Ministrave. Mozaiku kishte filluar të degradohej dhe të sillte rrezikshmëri për personat që kalonin, kemi bërë atë që ishte emergjente për ta shpëtuar këtë vepër arti. E kemi bërë në bashkëpunim me autorët e vetë veprës”, tha Margariti.

Ajo tha se restaurimi është bërë në dakordësi me autorët.

“Propaganda është pjesë e një regjimi diktatorial, por duhet ta veçojmë veprën artistike nga propaganda. Kemi treçerekun e fondit të Galerisë Kombëtare të arteve që e kemi me vepra të regjimit komunist. Është se si bëhej dhe ne sot studiojmë se si mund të bëhet propaganda nëpërmjet artit. Ne s’mund të fshijmë artin e artistëve, sepse keni pasur artin e keq që keni jetuar në atë periudhë. Restaurim besnik i gjendjes aktuale dhe fakteve historike, do ishte gabim që restaurimi të kthente vendimin mbrapsht, se s’do ishte besnik. Restaurimi lidhet me faktin që duhet të jetë i qëndrueshëm, të mos ketë rrezikshmëri. Është bërë në dakordësi me autorët”, u shpreh Margariti.

Mozaiku “Shqipëria” është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai u përurua bashkë me muzeun me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë më 28 nëntor 1981 në Tiranë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *