Shpresat për të mbijetuar në Turqinë juglindore të goditur nga tërmeti pothuajse janë zhdukur, por “mrekullitë” nuk ndalen. Një burrë u shpëtua ditën e sotme nga rrënojat e një ndërtese të shembur në provincën jugore të Hatay, pas 11 ditëve nën rrënoja.
Një djalë 12-vjeçar që mbeti për 260 orë nën rrënoja në provincën Hatay u shpëtua nga shpëtimtarët dhe vullnetarët që nuk reshtin së kërkuari për jetë njerëzish. Megjithatë, djali i vogël nuk ishte i vetmi që arriti të mbijetonte për kaq shumë ditë nën rrënoja. Pak orë më parë, 29-vjeçarja Neslihan Kiliç arriti të nxirret e gjallë pas 258 orësh. “Falë Zotit motra ime mbijetoi. Ata thonë se ajo ishte e vetëdijshme, por ne nuk kemi mundur ta shohim ende”, tha Yusuf Yalginoz. Mjeku Mohamed Semih Gedik, i cili ekzaminoi 29-vjeçaren, tha se vajza u përmend dhe pyeti për të afërmit e saj. Doktori siguroi se gjendja e saj është e qëndrueshme.