Biznese në sektorë të ndryshëm të ekonomisë po i drejtojnë sërish sytë te vendet e huaja për gjetjen e forcës punëtore. Emigracioni dhe plakja e popullsisë ndër vite, vijon të shtojë hendekun e gjetjes së punonjësve.
Fillimisht u tentua me punonjës kryesisht nga Bangladeshi, skemë e cila dështoi pasi ata e shihnin Shqipërinë më shumë si trampolinë për të kaluar në Europë. Tashmë India po shihet si një burim për gjetjen e punonjësve.
Në situatë të vështirë për punonjës janë edhe fermat e mëdha dhe të mesme. Përveç ofrimit të pagave deri 1,000 euro në muaj për stallier nga drejtuesit e fermave po kërkohen punonjës nga India.
Klajdi Myzaferi, drejtuesi i një ferme me 150 krerë lopë në Vlorë, prej muajit nëntor 2023 ka të punësuar 2 indianë që i paguan 500 USD në muaj përfshirë akomodimin dhe ushqimin e paguar, dhe dhëniesh bonusi për punë ekstra.
“Jam i kënaqur me rendimentin e punës, sidomos me qëndrueshmërinë, gjë të cilën nuk po e hasim me punonjësit vendas. Gjithashtu kanë nisur të përshtaten edhe me proceset e automatizuara të fermës”.
Ai pritet që së shpejti të shtojë stafin me të punësuar nga India prej 2 apo 3 punëtorë.
“Nuk ka vazhdimësi në fuqinë vendase. Nuk ka të rinj që duan të punojnë në blegtori, largohen në emigracion. Gjen forcë punëtore mbi moshën 55 vjeç, por ata nuk arrijnë të përballojnë punë të vështira në blegtori ”, tha.