Mungesa e fuqisë punëtore, e ndikuar nga lëvizjet demografike dhe plakja e popullsisë ndër vite, vijon të shtojë kërkesën për punësime për staf shërbimi me rroga deri 1,000 euro në muaj, kryesisht në zonat bregdetare.
Përveç punësimeve për shefa kuzhine me paga nga 3,000 – 3,500 deri në 5,000 euro në muaj në struktura të veçanta, apo kamarier me pagë 1,000 euro dhe ndihmëskamarier me pagë 800 euro, tashmë nga bizneset në Jug po kërkohen edhe punonjëse për pastrimin me pagë mujore 800 deri në 1,000 euro.
Në njoftimin e ngjitur në një nga pallatet zonës “5 maji” në Tiranë, një biznes në Sarandë ofron punësim për punonjëse pastrimi, me pagë nga 800 deri në 1,000 euro në muaj, përfshirë akomodim dhe ushqim falas.
“Kërkohen sanitare për sezonin veror në Sarandë. Akomodimi dhe ushqimi falas. Paga 800 deri në 1000 Euro”, thuhet në njoftim.
Pagesat e punonjësve të pastrimit janë shtrenjtuar edhe në Tiranë. Tarifa e kërkuar për një orë pastrim varion nga 500 lekë deri në 1,000 lekë.
Nga ekspertët e sektorit të punësimit, u parashikua që edhe sivjet, oferta më e madhe për punësime me paga të larta do të jetë nga bizneset HoReCa (Hotele-Restorante-Katering) në bregdet, të cilat e kanë të pamundur të plotësojnë stafet nga fuqia punëtore e zonave, çka ka sjellë transferimin e përkohshëm të atyre nga Tirana apo zona të tjera