Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, anëtari Myslym Murrizi dhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka janë përfshirë në një debat të ashpër.
Murrizi ka akuzuar Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkajn si diversantë, duke kërkuar që ata të zgjidhen përmes votës. Ai e kritikon faktin që këta drejtues nuk janë zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kanë shprehur qëndrime kontradiktore ndaj liderëve të partisë.
“E kemi parë në media me kohë listën e drejtuesve të qarqeve. Agron Gjekmarkaj ka thënë do hidhem nga ballkoni po erdhi Berisha. Si mund të motivohen demokratët? Ne e nisëm foltoren që të ketë vlerë vota. Por Bardhi dhe Gjekmarkaj nuk u zgjodhën me votë. Erdhën si të bashkuar në diversitet e na u bënë diversantë. Të vijnë të votohen. Pyet Bardhin pse se ke çuar emrin e Berishës si anëtar i Grupit Parlamentar. Bardhi thotë nuk është e vërtetë, është dërguar në maj. Pse drejtuesit politik mos të votoheshin?”, tha Murrizi.
Në përgjigje, Noka ka mbrojtur Gjekmarkajn dhe Bardhin, duke theksuar angazhimin e tyre për lirimin e liderit Berisha dhe luftën e fortë të Bardhit kundër Ramës në Kuvend.
“Gjekmarkaj si nënkryetar i PD artikulon në çdo institucion ndërkombëtar kërkesën për lirimin e liderit tonë. Vetëm të bashkuar ecim drejt fitores. Gjekmarkaj është njeriu që ka bërë më shumë për të dënuar burgimin politik të Berishës, me shumë se askush tjetër, duke komunikuar me kancelaritë e huaja. Jemi bashkuar dhe duhet te bashkohemi edhe me pjesët e tjera. Bardhi ka bërë betejën me të fortë në Kuvendin e Shqipërisë, kundër Ramës.”, u kundërpërgjigj Noka.