Mijëra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin mëngjesin e sotëm në sheshin ‘Skëndërbej’. Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë: Fiter Bajrami dhe Kurban Bajrami.
Kreu i KMSH, Bujar Spahiu u bëri thirrje besimtarëve që kush ka mundësi le të presë Kurban.
“Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfrit. Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët. ‘As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj’, thotë Zoti.
Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria. E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona! E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin! Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin! H. Bujar Spahiu Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë” shkroi ai në Facebook.