Pas më shumë se 40 orësh nga rënia e zjarrit te ‘Casa Italia’, ende nuk ka asnjë gjurmë nga Arjan Sala, roja i magazinës që është ‘nën pushtetin’ e flakëve prej më shumë se dy ditë. Aktualisht mësohet se në magazinë zjarri i madh është shuar dhe ka ende disa vatra të vogla, ndërsa ende po vijojnë kërkimet për 33-vjeçarin.
Nga ana tjetër, familjarët e tij kanë akuzuar forcat zjarrëfikëse se kanë mëbrritur me vonesë dhe se nuk kanë pasur paisjet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë djalit të tyre. Shërbimi i Zjarrfikësës kishte dhënë njoftimin se do të dilte në një njoftim për mediat, por familjarët nuk e kanë lejuar. Ato kanë kërkuar që të gjitha informacionet që kanë t’ia përcjellin familjarëve fillimisht, duke ngritur akuza se nëse do të kishte pajisje më të mira, sot djali i tyre do të ishte gjallë. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga zjarrfikësi, i cili pranoi se ka nevojë për pajisje më të sofistikuara, por ka theksuar se ato kanë bërë maksimumin.
Debati:
Familjarët: Ne duam që të gjendet personi, mos gënjeni.
Ekipi i zjarrfikësve: A doni që të flasim apo të gënjejmë.
Familjarët: Ne japim 40 milionë lekë vetëm të gjendet njeriu. Ky prononcim nuk është në shërbim për momentin.
Zjarrfikësit: Ne nuk jemi këtu për të bërë elozhe.
Familjarët: Ne na ka ikur vëllai, na gjeni trupin.
Zjarrfikësit: Unë kam 27 vite në këtë punë, dhe unë i përjetoj edhe vetë rastet.
Familjarët: Ne nuk kemi ardhur këtu që të dalim në televizor.
Zjarrfikësi: Sa ditë kam unë këtu pa lëvizur nga vendi.
Familjarët: Ne po e qajmë këtu te porta, pa më dalë xhenazja. Ne nuk po bëhemi pengesë, ju lutemi shumë, na e jepni një informacion, pse nuk keni thënë ju të vijë një familjar. Prononcimin për mediat na i jepni më vonë. Ju nuk keni pasur paisje, keni qënë me bombla 3 litroshe, mungesë mjetesh, një veshje antizjarr nuk e kishin ata njerëz gjatë natës? Erdhën vetëm dje nga ora tre. A nuk është gjynah kjo që ndodhi.
Zjarrfikësi: Unë sot jam palë këtu me ty, natyrisht që na duhen mjete, dhe çdo reagim i juaji është i kuptueshëm.
Familjarët: Ti rrezikon jetën tënde kur nuk ke asnjë paisje, me çfarë do të shpëtosh djalin tim.
Ndërkohë, një grup vullnetarësh kanë mbërritur në ndihmë të zjarrfikësve. Eksperti Adem Statovci ka dhënë detaje të frikshme për zjarrin në magazinë. Ai tha se temperature në godinë ka shkuar afërsisht 1 mijë gradë.
“Ende zjarret janë të rrezikshme. Kjo punë e kërkimit është problem se jemi duke u marrë me fikjen e zjarrit. Gërmadhat duhen pastruar. Unë kam informacion për një person aty. Dje kemi bërë një matje që ka qenë rreth 1 mijë gradë ”, ka thënë shefi i shërbimit të zjarrfikësve në Rinas, Adem Statovci.
Ndërkohë i pyetur nga gazetarët se pse nuk po fiket zjarri që prej dy ditëve, ai ka shtuar se kjo vjen për shkak të materialeve të djegshme që ndodhen në magazinë. Raportohet se magazina ka qenë mbushur plotë me material.
“Shumë materiale të ndezshme që kanë qenë aty në hapësirën e magazinës. Ka qenë e tej ngarkuar me material. Qasja tek zjarri është shumë e vështirë. Rafte, ka dhe mure që janë shembur. Avancimi është shumë i vështirë. Nëse ke rroba dhe këpucë në trashësi një metër është e vështirë. Zjarrin brenda nuk e kemi fikur.”
“Besoj që diku gjatë ditës së sotme do përfundojmë. Godina nuk rrezikon intensiteti i madh është kaluar.” ka shtuar më pas Adem Statovci.