Një shqiptari, i cili u dërgua në qendrën e largimit të imigracionit në Harmondsworth, pranë aeroportit Heathrow javën e kaluar, i është thënë se ai përballet me dëbim të menjëhershëm, një ditë pasi Ministria e Brendshme njoftoi planet për të shpejtuar largimin e azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar.
Shqiptari, i cili kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar një dekadë më parë, nuk ka precedentë penalë, nuk është arratisur kurrë dhe thotë se ka respektuar vazhdimisht kërkesat e imigracionit duke raportuar çdo dy javë në Home Office. Dy fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar.
“Është sikur kam një gju në qafë, sikur po më mbysin”, ka thënë ai për The Guardian.
Ata erdhën për të kontrolluar restorantin ku unë po ndihmoja, më shumë se 10 prej tyre, të gjithë të veshur me uniforma. Ata thanë se kishin një informatë se një punonjës i paligjshëm është këtu dhe filluan të pyesnin njerëzit për mua. Ata nuk më dhanë asnjë shpjegim, vetëm më çuan në stacionin e policisë, më mbajtën atje dhe më pas në qendrën e imigracionit. Më trajtojnë si kafshë”, ka treguar shqiptari nga qendar e largimit.
Burri, i cili po mbahet për akuzat e imigracionit pasi i janë shteruar të drejtat e tij për apelim, thotë se ka të drejtë për jetën familjare pasi fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar. Ai beson se Home Office po synon në mënyrë të padrejtë shqiptarët.
“I gjithë ky vend [Harmondsworth] është plot me shqiptarë. Duket sikur po na rrethojnë për të na futur në një fluturim charter nga këtu. Djali me të cilin po ndaj qelinë dhe gjysma e krahut tjetër janë shqiptarë. Më shkoi në mendje se kjo është një hakmarrje ndaj nesh. Duket se qeveria po gjen boshllëqe për të na nxjerrë jashtë. Të gjithë janë kaq të shqetësuar dhe të frikësuar, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne”, ka thënë ai.