“Na votoni të vijojnë investimet” Veliaj: Këto 7 ditë, të bindim sa më shumë persona

Parku i Liqenit të Farkës tashmë ka marrë formë me pedonalen e re, pistën e vrapit, korsi biçikletash, mol për varka, sheshe rekreative, pemë të reja dhe sheshpushime me kënde lojërash e force. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ishin të pranishëm në aktivitetet sportive të organizuara në ambientet e parkut.

Veliaj tha se falë punës së bashkisë parku është transformuar në një hapësirë të re, që i ka dhënë një mundësi argëtimi e çlodhjeje, por edhe hapësire për aktivitet fizik qytetarëve të Tiranës, si edhe ka rritur vlerën e pronës në gjithë zonën përreth. Ai shtoi se investimet për sportin do të vijojnë me dy projekte të tjera të mëdha në mandatin e ardhshëm, si stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i ri i Sportit “Asllan Rusi”.

“Dua t’ju informoj se Parku i Liqenit të Farkës, është vetëm një nga investimet e këtij viti. Ne duam të vazhdojmë me disa investime të tjera, bashkë me qeverinë, dhe prandaj është e rëndësishme që të punojmë me qeverinë. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë te stadiumi “Selman Stërmasi”, siç kemi bërë tek “Arena Kombëtare”. Investimi tjetër do të jetë Pallati i ri i Sportit “Asllan Rusi”. Unë besoj se sporti na mëson më shumë karakterin, na forcon më shumë. Ndaj, ftesa për të gjithë prindërit është: ta shfrytëzojmë këtë park të mrekullueshëm, që po kthehet në një nga zonat rezidenciale më të kërkuara në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Në Farkë, në Petrelë, e në Mullet, në Lundër, ka ndodhur rritja më e madhe e vlerës së pronës falë punës,” tha Veliaj.

Ai dha lajmin e mirë se javën e ardhshme do të hapet tregu agroushqimor i Farkës, i pari treg publik në Tiranë, ku të gjithë fermerët do të shesin produktet pa kostot e privatit, ndërsa qytetarët do të blejnë më lirë prodhimet e tyre bio.

“Javën tjetër hapim tregun agroushqimor. Më në fund e thyejmë monopolin e privatit, ku praktikisht 70% e kostos ishte fitimi që fuste në xhep privati. E kemi bashkëfinancuar me Fridën, prandaj është e rëndësishme që mos të bëjmë luftë me qeverinë. Ne duam paqe dhe bashkëpunim me qeverinë, ndaj mezi pres të shohim rezultatet e tregut. Bashkia dhe qeveria ka interes që edhe fermeri ynë nga Baldushku, nga Mulleti, nga Iba, nga Vaqarri, nga Arbana, Ndroqi e Peza, e gjithë lugina e Erzenit, të ketë një treg ku ti futesh pa haraçin që duhet paguar te privati dhe qytetarët e Tiranës ta shtrojnë tavolinën me fruta dhe perime që kushtojnë më pak dhe janë më lirë falë këtij bashkëpunimi të Qeverisë dhe të Bashkisë,” nënvizoi Veliaj.

Për të realizuar këto investime, Veliaj tha se qytetarët duhet të votojnë Partinë Socialiste, e cila është e vetmja forcë që di t’i çojë punët përpara.

“Në këto 7 ditë, nëse secili prej nesh njeh 7 vetë që nuk mendojnë si ne, duhet të flasim me ta, t’i shohim në sy dhe t’u themi: Kur e mbjellim këtë pemë, a iu shërben edhe të majtëve, edhe të djathtëve? Kur e pastrojmë këtë ujë, a i shërben edhe të majtëve dhe të djathtëve? Kur i bëjmë këto lodrat, a luajnë edhe fëmijët e të majtëve dhe fëmijët e të djathtëve? Kur e bëjmë këtë shkollë, këtë kopsht, këtë çerdhe, këtë rrugë, këtë autostradë, këtë treg agroushqimor, këtë pallat të sportit, këtë unazën e madhe, nëse i shërben të gjithëve, atëherë bashkohuni me ne, sepse familja është partia më e rëndësishme. E nëse familja jote, falë kësaj pune, është duke ecur më mirë, vlera e pronës është rritur, pastërtia është rritur, ndriçimi është rritur, aktivitetet janë rritur, atëherë të vazhdojmë të rritemi dhe të ecim vetëm përpara”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *