Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur në dispozicion mbi 1.66 miliardë lekë apo rreth 9.5 milionë euro si fond limit për blerjen e karburantit që shkon tek fermerët.
Në një procedurë të çelur këtë të martë kjo ministri saktëson se parashikohen të blihen 6.3 milionë litra. Konkretisht qeveria synon që litri i karburantit të sigurohet për një çmim 173 lekë litri.
Fondi limit nuk përfshin tatimin mbi vlerën e shtuar. Kohëzgjatja e marrëveshjes që ministria do të ketë me operatorin fitues është parashikuar 12 muaj.
Blerja e karburantit për skemën e rimbursimit të fermerëve është një praktikë që po zbatohet tashmë prej gati tre vitesh.
Përfitimi nga kjo skemë e fermerëve është e lidhur me disa kushte që duhet të plotësohen nga këta të fundit lidhur me formalizimin kurse aplikimet kryen përmes e-albania.
Kështu përfitojnë fermerët të cilët janë pajisur me NIPT fermeri
“Fermerët që nuk janë të pajisur me NIPT fermeri duhet të pajisen me të duke ndjekur procedurën në Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB).
Personat fizike dhe juridike të cilët kanë në objektin e aktivitetit të tyre të përfshirë veprimtari bujqësore.
Subjektet e mësipërme duhet të kenë ose në pronësi ose në përdorim tokë bujqësore (të provuar me dokumente) të cilën e kultivojnë” sqarohet në një udhëzues të ministrisë i dedikuar për skemën e naftës.
Në 2021 zbatua për herë të parë skema e mbështetjes me naftë falas për fermerët që vijoi zbatimin edhe në 2022, duke përfshirë për herë të parë rimbursimin e akcizës dhe taksës të qarkullimit për fermerët që kultivojnë dru frutorë, arrorë dhe perime.
Shteti subvencionon 80,4 lekë nga çmimi i naftës që përfshin akcizën, taksën e qarkullimit, karbonit dhe TVSH-në. Për 2022 përfituan 34,731 fermerë naftë pa taksa me vlerë fond financimi 1,95 miliardë lekë./Monitor