Një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht pasi u kapën me naftë kontrabandë.
Burime për median bëjnë me dije se është arrestuar A. B., 40 vjeç, dhe janë proceduar penalisht shtetasit F. G., 57 vjeç dhe L. K., 40 vjeç, të tre banues në Peshkopi. Këta persona akuzohen se kanë marrë naftë kontrabandë nga Maqedonia e Veriut për ta shitur në Shqipëri.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Black Gold”, evidentohet dhe goditet një rast i kontrabandimit të naftës.
U kap duke transportuar me automjet, naftë e dyshuar kontrabandë nga Maqedonia e Veriut, procedohet penalisht drejtuesi i automjetit. Vihet në pranga pronari i magazinës që depozitonte naftën me qëllim tregtimin e saj në vendin tonë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Dibër, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme dhe akse rrugore ku është konstatuar shtetasi F. G., duke drejtuar automjetin e tij, në të cilin është gjetur e fshehur një sasi nafte e dyshuar e kontrabanduar. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi F. G., transportonte naftë me automjetin e tij dhe e depozitonte në magazinën e shtetasit A.B., dhe ky i fundit merrej me shitjen e saj.
Po në vijim të operacionit është ushtruar kontroll dhe në lokalin e shtetasit L. K., ku u gjet e fshehur një sasi nafte e dyshuar e kontrabanduar, me qëllim tregtimin e saj.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. B., 40 vjeç, dhe janë proceduar penalisht shtetasit F. G., 57 vjeç dhe L. K., 40 vjeç, të tre banues në Peshkopi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.