Naftëtarët e Ballshit kanë dalë sërish në protestë. Ata janë mbledhur në ambientet e jashtme të rafinerisë, ku kanë kërkuar zgjidhjen e problematikës së tyre në lidhje me pagat e prapambetura.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj ka thënë se mbrëmjen e të dielës kanë mbërritur në uzinë mjete për të bërë demontimin e rafinerisë. Dautaj tha para mediave se këto veprime nuk duhet të bëhen pa dijeninë e tyre pasi ata e konsiderojnë si një provokim. Ai kërkon gjithashtu që naftëtarët të marrin pagesat e tyre.
“Ne kemi pritur një zgjidhje ligjore. Nuk kanë pse të na provojnë në këtë lloj mënyre. Ne kemi kërkuar që rafineria të vihet në punë dhe ne të punësohemie të vijojmë punën tonë aty. Gjithsesi nëse shteti e vendos ndryshe të paktën të dalë në një njoftim zyrtar dhe të thotë që rafineria nuk do të vihet më në punë. Por gjithashtu të gjejë një zgjidhje mbi problemin e pagave të pamarra. Nuk dimë as se kush i drejton forcat e policisë, ja ku i keni pyetini. Kanë ardhur këtu dhe një kompani private ka nisur punimet,”- tha Dautaj ndër të tjera.
Pas tij folën edhe të tjerë naftëtarë që kërkojnë pagesat gjithashtu.
“Ne nuk jemi as banditë as grabitës. Hajdutë janë ata që vijnë këtu fshehurazi gjatë natës për të çmontuar rafinerinë,”- tha një prej tyre.
Pas tij foli edhe një grua e cila tha se ata nuk janë fasoneri që të marrin 300 mijë lekë të vjetra në muaj.
“Ne kemi ardhur këtu të kërkojmë djersën tonë, nuk kërkojmë lëmoshë. Çfarë është ai 300 mijë lekësh në muaj? Pse në fasoneri po punojmë ne? Janë helmuar punëtorët këtu duke vdekur në uzinë,”- tha ajo ndër të tjera.
/Priza.al/