Naftëtarët e Ballshit të pandalshëm, organizojnë sërish protestë! Policia dhe FNSH-ja rrethojnë rafinerinë

Naftëtarët e Ballshit duket se nuk kanë ndërmend të dorëzohen deri në përmbushjen e qëllimeve të tyre.

Ata janë grumbulluar sërish ditën e sotme para uzinës, vetëm 200 metra larg rafinerisë. Ata kërkojnë pagat që nuk i kanë marrë edhe pse kanë një vendim gjyqësor që e përcakton këtë.

Ndër të tjera naftëtarët shprehen që nëse rafineria do të shitet për skrap, atëherë pagesat të kalojnë drejt tyre si shpërblim për pagat që nuk i kanë marrë prej vitesh.

Bëjmë me dije se policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë marrë masa për të mos lejuar që naftëtarët të afrohen në ambientet e marra nën rrethim.

Çfarë kërkojnë naftëtarët?

Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kërkojnë shlyerjen e 13 pagave të prapambetura dhe rinisjen e punës së rafinerisë. Naftëtarët e uzinës në Ballsh protestuan edhe një vit më parë për muaj me radhë për pagat e pamarra, edhe pse kishin punuar në kohë pandemie, kur gjithçka ishte e mbyllur dhe në “shtetrrethim”. Duke parë se nga protestat e tyre nuk pati asnjë reagim ata vendosën që të futeshin në grevë urie në ambientet e Rafinerisë. Qeveria u ofroi atyre 40 mijë lekë të reja rrogë për një periudhë 1-vjeçare. Po ashtu, iu paguan edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020-tetor 2021. Por në vendimin e qeverisë thuhej qartë se nëse pas kësaj periudhe nëse në rafineri nuk afrohej asnjë investim, atëherë naftëtarët nuk do të merrnin më mbështetje nga shteti. Dhe kjo ka bërë që ata të ngriheshin sërish në protesta. Mirëpo, përveçse janë pa punë, tashmë u duhet të përballen dhe me qëndrimin pas hekurave.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *