Qindra policë në Belgjikë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme një mega-operacion kundër mafias shqiptare dhe `Ndraghetas të koduar `Sky`, në kuadër të dekriptimit të mesazheve nga rrjeti Sky.
Si fillim rreth 130 banesa janë bastisur, ndërsa autoritetet kanë lëshuar të paktën 80 urdhër-arreste.
Mediat belge shkruajnë se bëhet fjalë për një operacion të një madhësie që nuk shihej prej kohësh. Kjo pasi Belgjika është një nga portat hyrëse të kokainës në Europë dhe se vendi konsiderohet me një risk të lartë të përfshirjes së mafias.
Në fakt është mega-operacioni i tretë që po zhvillohet nga policia belge brenda këtij viti. Në fillim të këtij viti u arrestuan 50 persona dhe u sekuestruan mbi 17 ton kokainë.
Ndërkaq sot, Policia e Belgjikës ka dhënë detaje të reja nga mega-operacioni Sky ku morën pjesë plot 1100 policë, të shoqëruar nga komandot speciale.
Në total janë arrestuar 64 persona, anëtarë të organizatës kriminale që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Përveç kësaj janë sekuestruar dhjetëra armë zjarri dhe 57 makina luksoze.
Në konferencën e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme u tha se janë gjetur edhe gjashtë laboratorë të kokainës, plus tonelata me produkte. Nga hetimet e deritanishme ka dyshime se nga këto laboratore dilte mbi 1 ton kokainë për çdo javë dhe më pas droga transportohej e shpërndahej përmes korrierëve në vende të ndryshme të BE-së, përfshi edhe Britaninë e Madhe.
Prokuroria bëri me dije se është sekuestruar një sasi e madhe me monedha ari, një makinë për numërimin e parave, rreth 1 milion euro në cash dhe të paktën 300 metër kub duhan kontrabandë. Organizata kriminale ishte kaq e fuqishme sa janë kapur edhe pajisje të specializuara si dronë dhe motorë për zhytës.
Eric Snoeck, drejtor i Policisë Kriminale Federale tha gjatë konferencës për shtyp se bëhej fjalë për një krim ndërkombëtar me rrënjë të thella në Belgjikë. Sipas tij, bandat shqiptare po kontrollojnë tregtinë evropiane të kokainës nga Belgjika në një aleancë me Ndrangheta të Italisë së Jugut.
“Sot kemi zbuluar një botë të re kriminale në zonën e Brukselit. Deri më tani ajo kishte arritur të vepronte e papikasur”.
I gjithë operacioni u bazua mbi faktin se policia arriti të dekriptonte mesazhet që përdorte kjo bandë me anë të një aplikacioni të quajtur Sky. Për këtë arsye edhe operacioni mori këtë emër.
Javën e kaluar u zhvillua operacioni i parë në Liezh, që u ndoq nga një tjetër në Antwerp të hënën, ndërsa të martën u zhvillua ai në kryeqytet. Në prangat e autoriteteve kanë rënë disa persona, ndërkohë që janë kryer deri në 130 kontrolle.
“Po shënjestrojmë trafikun e kokainës. Nuk është domosdoshmërisht një çështje sekuestrimi droge në sasi të larta, por shkatërrimin e një bande trafiku droge aktive në trafikun ndërkombëtar të kokainës”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Federale belge, Eric Van Dyuse.
Në qendër të hetimit ka qenë trafiku i kokainës, që në Europë sipas mediave, menaxhohet kryesisht nga ‘Ndragheta dhe mafia shqiptare, të cilët kanë kontakte direkte me prodhuesit në Amerikën Latine dhe lehtësojnë shpërndarjen në Gjermani, Itali dhe Belgjikë.
Për vite me radhë, rrjetet kriminale kanë trafikuar me tonelata kokainën nga portet e Antwerp-it në Belgjikë, Hamburgu në Gjermani dhe Le Havre në Francë. Brukseli duket se shërben si qendër logjistike ku droga përpunohet në laboratorë dhe ruhet në ndërtesa të ndryshme, ndonjëherë edhe në zemër të qytetit, përpara se të shpërndahet në vendet e tjera.
Në operacionin në Antwerp, policia ka arrestuar 10 persona. 6 prej tyre kanë punuar më parë në port. Në Liezh, 27 persona janë arrestuar në lidhje me një sasi droge me vlerë 80 milionë Euro. Po ashtu gjatë operacioneve janë sekuestruar 8 armë zjarri, mes tyre 5 Kallashnikovë, 80 mijë Euro cash, celularë të enkriptuar, mjete, dhe bizhuteri me vlerë.
Mediat blege nga ana tjetër flasin për aleancat e forta mes klaneve kalabreze dhe ‘Ndragheta-s me mafian shqiptare. Kjo lidhje e fortë është përdorur sidomos për operacionet e trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Europës.
/Burimi: The Brussels Times/ Përshtati: Priza.al/