Planetët endacakë, që enden në hapësirë pa një yll referimi, janë më të shumtë nga sa pritej, sipas të dhënave më të fundit nga teleskopi hapësinor Kepler, gjuetari i NASA-s për botët aliene.
Analiza e sasisë të stërmadhe të të dhënave që teleskopi ka dërguar në Tokë gjatë jetës së tij funksionale, para se “të dilte në pension” në 2018, ka bërë të mundur zbulimin e katër planetëve të tjerë endacakë, me një masë të ngjashme me atë të Tokës, tregon studimi i botuar në Monthly Notices of the Royal Astronomical Society nga grupi i Universitetit britanik të Mançesterit i koordinuar nga Iain McDonald.
“Sinjalet nga këta planetë endacakë janë jashtëzakonisht të vështira për t’u gjetur”, vëren McDonald.
Për ta bërë këtë, astronomët përshtatën aftësitë e teleskopit Kepler për të shfrytëzuar një efekt zmadhues të parashikuar nga teoria e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit, i ashtuquajturi efekt i mikrolentizimit, që ndodh kur një planet kalon vijën e shikimit që lidh një vëzhgues dhe një yll në sfond.
Drita e yllit shfaqet përkohësisht më e ndritshme, me një rritje të shkëlqimit që mund të zgjasë nga disa orë në disa ditë.
Hipoteza e studiuesve është se këta planetë endacakë u formuan rreth një ylli mëmë dhe më pas u dëbuan nga tërheqja gravitacionale prej planetëve të tjerë më të rënda brenda të njëjtit sistem planetar.
/Priza.al/