Katër javë pas agresionit rus kundër Ukrainës, NATO zhvillon një samit të dytë të jashtëzakonshëm ku merr pjesë edhe presidenti Biden. Nuk pritet plotësim i kërkesës kryesore të Ukrainës, por do të ofrohen armatime.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i drejtohet përmes videos krerëve të shteteve dhe qeverive të 30 vendeve të NATO-s në samitin e Brukselit. Më shumë armë dhe zonë të ndalim fluturimit. Këto janë kërkesat më urgjente të presidentit ukrainas nga Kievi i rrethuar. NATO do t’i regjistrojë sërish këto kërkesa, por lutjet e Kievit mund të përmbushen vetëm në një masë të vogël, thuhet nga diplomatët në Bruksel. Nëse vendoset zona e ndalim fluturimit në Ukrainë, kjo do të thoshte hyrje në luftë e aleancës, sepse NATO do duhej të qëllonte avionët luftarakë rusë.
Një pjesëmarrje aktive të NATO-s në mbrojtjen e Ukrainës, aleanca e ka refuzuar që në muajt e kaluar dhe e theksoi edhe njëherë në samitin e para tre javëve.
Presidenti Biden thekson gjithmonë, se nuk do të ketë trupa të NATO-s në Ukrainë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili para samitit telefonoi edhe njëherë me presidentin rus, pa rezultat, tha para dhjetë ditësh në Paris. “Ne nuk jemi në luftë.” Kancelari gjerman, Olaf Scholz e bëri të qartë në debatin në Bundestag të mërkurën, se nuk do të ketë zonë të ndalimfluturimit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëron nga shkallëzimi i situatës. “NATO ka përgjegjësi që këtë konflikt të mos e lejojë të shtrihet më tej. Kjo do të ishte shumë e e rrezikshme. Do të sillte më shumë vuajtje, vdekje dhe shkatërrim.”
Armë mbrojtëse për Ukrainën
Kështu vendet anëtare të NATO-s do të ngrenë lart Volodymyr Zelenskyn si hero, që po mbron vlerat perëndimore bashkë me ukrainasit, por atij do t’i jepen vetëm furnizime me armë mbrojtëse kundër raketave dhe armë antitank, si edhe municione dhe pajisje të tjera ushtarake. “Ne do t’i japim Ukrainës armë, me qëllim që ajo të mbrohet dhe të luftojë në këto ditë të vështira që do të vijnë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden. Se sa armë dhe furnizime do të ketë si edhe cilat do të jenë rrugët e dërgimit në Ukrainë nuk dihet. Për arsye sigurie, siç tha edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, sepse udhëheqja ruse ka bërë të ditur, se do të godasë rrugët që sjellin furnizime nga perëndimi.
Jens Stoltenberg
Në samit kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe homologët e tij çekë dhe sllovakë do të raportojnë për udhëtimin e tyre me tren në Kiev. Kryeministri polak sërish do të propozojë që avionët luftarakë polakë MiG që janë nga koha e prodhimit sovjetik të dërgohen në Ukrainë. SHBA e kishte refuzuar dërgimin e tyre nga baza ushtarake amerikane, Ramstein në Ukrainë. Dërgimi me rrugë tokësore është po ashtu shumë i komplikuar, po i mundur, thonë diplomatët e NATO-s në Bruksel. Por ka rrezik që Rusia ta përdorë këtë si pretekst për një sulm. Ekspertët ushtarakë të NATO-s, që nuk duan të përmenden me emër, e quajnë këtë propozim polak “të papjekur”, sepse nuk dihet, kush do t’i drejtohë këta avionë.
Vijat e kuqe
Në samitin e së enjtes, NATO do të merret edhe me veten. Presidenti Biden dhe krerët e shteteve dhe qeverive do të theksojnë edhe një herë se i mbeten besnikë të “patundur” nenit 5 të marrëveshjes së aleancës, që do të ketë ndihmë reciproke, në rast se sulmohet një vend balltik, Polonia apo Rumania. “Ne do të mbrojmë çdo inç të zonës së NATO-s”, tha Joe Biden para udhëtimit në Bruksel. Ndërsa zhvendosjet e tjera të trupave të NATO-s në krahun lindor dhe përforcimi ushtarak i trupave atje janë duke u kryer. “Kjo është një pjesë e përgjigjes së shpejtë, të qartë dhe të vendosur të NATO-s në këtë ndryshim fundamental të gjendjes së sigurisë. Qindra mijëra trupa të forcave aleate janë në gjendje gatishmërie. Rreth 40.000 ushtarë janë tani direkt nën komandën e NATO-s, të mbështetur nga aviacioni ajror dhe marina.”
Por brenda NATO-s vazhdojnë diskutimet, se ku janë vijat e kuqe. Si do të reagohet, nëse pushtetmbajtësi rus përdor armë kimike apo biologjike kundër Ukrainës? Si do të reagohet, nëse Kievi do të bjerë? Si do të reagohet, nëse Putin sulmon Gjeorgjinë dhe Moldavinë? Sipas të dhënave të diplomatëve të NATO-s, vijat e kuqe dhe reagimet e mundshme nuk bëhen publike. “Por po shikohen të gjithë skenarët”, e kjo të thotë shumë.
Samiti i ministrave të Jashtëm të NATO-s, 04.03.2022
SHBA ka bërë të ditur, se me partnerët e NATO-s dhe anëtarët e G7-s e BE do të flitet për sanksione të tjera kundër personave të caktuar rusë dhe bjellorusë. Një raund i pestë sanksionesh është në diskutim, ai duhet të mbyllë sidomos boshllëqet në sanksionet aktuale ekonomike kundër Rusisë, sipas presidentit Biden. “Së bashku me aleatët tanë dhe partnerët ne do të mbajmë më këmbë presionin ndaj ekonomisë në kolaps të Putinit, do ta izolojmë atë në skenën botërore.” Nuk është planifikuar një embargo e menjëhershme e furnizimeve në Europë me gaz rus apo furnizimeve me qymyr dhe naftë. Disa shtete si Poloni apo Lituania janë pro embargos, por Gjermania dhe Bullgaria e refuzojnë atë.
Presidenti Joe Biden të premten pritet në Poloni, për të vizituar trupat amerikanë, refugjatët nga Ukraina dhe për të zhvilluar takime me presidentin polak, Andrej Duda. Polonia ka pranuar deri tani 2,2 milionë refugjatë ukrainas.