Aleanca ushtarake e NATO-s dënoi planet e Moskës për të mbajtur të ashtuquajturat referendume në rajonet e pushtuara të Ukrainës. Aleanca u bëri thirrje të enjten të gjitha shteteve që të refuzojnë ato që i cilësoi si “përpjekje të qarta të Rusisë për pushtim territorial”.
“Referendumet e rreme në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, nuk kanë legjitimitet dhe do të jenë shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha NATO përmes një deklarate.
Separatistët në këto katër rajone ukrainase njoftuan më 20 shtator se të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë do të mbahen nga 23 deri më 27 shtator.
“Aleatët e NATO-s nuk do të njohin aneksimin e tyre të paligjshëm. Këto territore janë të Ukrainës”, u tha në deklaratë.
Një ditë pas njoftimet për planet për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume, presidenti rus, Vladimir Putin, mbështetin mbajtjen e tyre.
Katër rajonet ku janë planifikuar të mbahen votimet përbëjnë rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se qëllimi i tij është që të “çlirojë” rajonin lindor ukrainas të Donbasit.
Më 2014, në Gadishullin ukrainas të Krimesë ishte mbajtur një i ashtuquajtur referendum për bashkim me Rusinë. Pas votimeve, Rusia e njohu Krimenë si pjesë të saj, por komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur votimet e manipuluara dhe nuk e ka njohur rezultatin./REL