Tatjana Patitz një nga supermodelet e viteve 1980 dhe 1990, ka humbur jetën në moshën 56-vjeçare. Revista e modës ‘Vogue’ raportoi se shkaku i vdekjes së saj është sëmundja e kancerit metastatik të gjirit nga e cila vuante.
Patitz ishte e njohur për pozimin përkrah ikonave të modelingut si Cindy Crawford dhe Naomi Campbell në kopertinën e ‘British Vogue’ në vitin 1990. Ajo u shfaq edhe në videoklipin e George Michael për këngën e tij hit “Freedom! ’90.”
E lindur në Gjermani dhe e rritur në Suedi, karriera e modelingut të Patitz filloi në moshën 17-vjeçare. Ajo tërhoqi vëmendjen e fotografit gjerman të modës Peter Lindbergh. Dyshja punuan së bashku për një hark kohor prej 30 vitesh.
“Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Tatjana Patitz, një mike e vjetër e Peter-it. Mendimet tona shkojnë te të dashurit e saj dhe veçanërisht Jonah. Ajo do t’i mungojë pa masë” – postoi Fondacioni Peter Lindbergh në Instagram.