Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare aktorja e njohur Irene Papas

Aktorja ikonë Irene Papas është ndarë nga jeta në moshën 96 -vjeçare. Aktorja e njohur me origjinë shqiptare, me karrierën e saj në Greqi, luajti role të rëndësishme në teatër dhe kinema, duke mishëruar plotësisht fuqinë e tragjedisë antike. Irene Papas, emri i vërtetë i së cilës ishte Irini Lelekou, lindi më 3 shtator të vitit 1926 në Korinth ku ajo kaloi fëmijërinë e saj. Irene kishte tre motra, ndërsa prindërit e saj ishin mësues.

Adoleshencën e saj e kaloi në Athinë duke ndjekur kurse aktrimi në “Shkollën Kombëtare të Teatrit Klasik”. Në moshën 15-vjeçare nisi rrugën e saj artistike, pasi punoi si producente radiofonike, këngëtare dhe kërcimtare. Në moshën 18-vjeçare aktorja u martua me shkrimtarin Alki Papa dhe megjithëse martesa e tyre nuk zgjati shumë, aktorja mbajti mbiemrin me të cilin u bë e njohur në mbarë botën.

Në hapat e saj të parë në skenë, ajo mori pjesë në produksionet e Teatrit Kombëtar. Talenti i saj unik dhe interpretimet e shkëlqyera në tragjeditë antike si “Medea” dhe “Elektra” e bënë atë shumë shpejt të famshme. Dashuria dhe respekti i aktores për dramën antike ishte i madh, por ajo vendosi të ndalonte interpretimin e roleve të tilla dhe deklaroi në një intervistë për gazetën “Avenire” në Romë se: “Vendosa të mos aktroj më, sepse tragjedia ka një përgjegjësi të madhe. Frika se nuk mund ta përballoja do të më bënte të ndihesha shumë keq”.

Gjatë gjithë jetës së saj si aktore dhe këngëtare greke, Irene Papas luajti mbi 70 filma me një karrierë që përfshin më shumë se 50 vite. Irene u njoh në të gjithë botën përmes filmave të vlerësuar me çmime si: ‘The Guns of Navarone’ (1961) dhe ‘Zorba the Greek’ (1964). Ajo ishte protagoniste në filmat: ‘The Trojan Women’ (1971), ‘Ifigenia’ (1977) dhe ‘Antigone’ (1961).

Papas fitoi çmimin si aktorja më e mire në “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit” në Berlin për filmin ‘Antigone’ dhe nga Bordi Kombëtar i Rishikimit për filmin ‘The Trojan Women’. Gjithashtu ka fituar çmimin “Shigjeta e Artë” në vitin 1993 në “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit” dhe çmimin “Luani i Artë” në vitin 2009 në ‘Bienalen’ e Venecias.

Rikujtojme se Irene Papas ka luajtur me aktorin e njohur shqiptar Bekim Fehmiu, në serialin televiziv italian “Odissea”(1968) në rolin e Penelopës. Fehmiu, është aktori i parë që luajti një rol në një film hollivudian përgjatë Luftës së Ftohtë. Ky serial kult, u shpall seriali më i mirë televiziv i të gjithë kohëve, i këtij zhanri filmik në Itali. Gjatë xhirimeve të filmit legjendar “Odissea” në vitin 1968, në momente pushimi të dy aktorët kanë qenë duke biseduar në një gjuhë që nuk ishte e askujt tjetër nga aktorët e tjerë të filmit.

E pyetur nga një gazetar se çfarë gjuhe ishin duke folur, aktorja u shprehet se:“Është gjuha e nënës! Unë jam shqiptare nga Greqia kurse Bekimi shqiptar nga Jugosllavia por më e rëndësishmja është se ka qenë vullneti i vetë Zotit që ne të dy t’i luajmë këto dy role sepse dikur edhe vetë Penelope dhe Odisse kanë folur po të njëjtën gjuhë që e flasim unë e Bekimi sot”.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *