Alda Klosi kërkon sërish që të lirohet nga qelia. Ish-zyrtarja, e cila akuzohet për “pastrim parash” dhe “deklarim të rremë të pasurisë”, kërkon të lirohet nga qelia. Por edhe kësaj here, kërkesa është argumentuar me probleme shëndetësore të Klosit.
Disa javë më parë, Alda Klosi dhe sanitarja e saj Rozeta Dobi, të dy të arrestuara, u ballafaquan në Prokurorinë e Tiranës, por ndaj ish-zyrtares, aktualisht janë ngritur 3 akuza ajo e “Pastrimit të parave”, “Mosdeklarimit të pasurisë” dhe “Deklarimit të rremë para oficerit të policisë gjyqësore” i konsideron deklarimet e Dobit të gënjeshtërta.
Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.
Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga