Vrasja që tronditi Shkodrën pak ditë më parë duke i marrë jetën ish-deputetit të ndjerë Pashko Ujka, ka qenë tepër e sofistikuar dhe e kryer me gjasë nga profesionistë që kanë përdorur në të metoda “të padëgjuara”.
Jo vetëm maskimi dhe përdorimi i silenciatorit në aksion, por tashmë edhe qesja plastike na del se paska qenë një “element kriminal”, pasi mësohet të jetë përdorur nga autori për të zhdukur thuajse fare gjurmët…
Po si? Autori i cili qëlloi për vdekje mbi ish-deputetin Ujka, mësohet se e mbante pistoletën të futur në një qese plastike, jo vetëm për ta fshehur atë, por edhe për të mbledhur si në një “kuti” gëzhojat e plumbave që mund të përdoreshin më pas nga policia dhe hetuesit për të zbardhur ngjarjen.
Për këtë gjë, sipas hetuesve, në vendin e krimit nuk janë gjetur gëzhoja të plumbave.
Në dosjen e prokurorisë po ashtu hidhen dyshime se, autori i dyshuar Kristian Kelmendi, ka bërë lëvizje fiktive në kufi për të krijuar alibi. Shkak për ngjarjen është bërë një shumë prej 20 mijë eurosh të dhënë për një apartament tek ish-zyrtari i lartë.
Ish-deputeti Pashko Ujka, ka qenë duke blerë një paketë cigare në momentin kur është qëlluar me një plumb. Pranë tij ka qenë bashkëshortja e cila në momentet e para të ngjarjes ka deklaruar se, ka dëgjuar vetëm një zhurmë të mbytur e më pas ka vënë re se i shoqi u rrëzua përtokë.
Nga pamjet e siguruara prej bizneseve në zonën pranë shatërvanit dhe lulishtes së Shkodrës, ku edhe ndodhi ngjarja, vërehet se autori e kishte mbështjellë armën me një qese. Kjo shpjegon se përse nuk u gjetën gëzhojat.
“Personi që ka qëlluar është trup i mbushur, që sipas policisë, ngjason me trupin e Marjan Kolës ose Aleksandër Kelmendit. Autori shfaqet me kapele të zezë me strehë në kokë, me kapuç pas qafe, në dukje doreza në duar.
Duket që për një moment rregullon kapelën e kapuçin dhe mban kokën ulur, ndërsa ecën me hapa të vegjël por të vendosur e të shpejtë. …në dorë, ka një qese të bardhë, e cila mbulon diçka brenda saj, dhe që dyshohet se mund të jetë arma, pasi në vendngjarje nuk është gjendur asnjë gëzhojë…”,- thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore.
Shkak për ngjarjen duket se është bërë një apartament, për të cilin pretendohet se është paguar një shumë prej 20 mijë eurosh.
Madje para policisë Kristjan Kelemendi, personi i arrestuar për vrasjen, ka treguar në polici se familja e tij i ka paguar 20.000 euro Pashko Ujkës, për marrjen prej tij të një banese në Shkodër. Por më pas ish-zyrtari, ja ka marrë sërish madje duke bërë edhe kallëzim ndaj tyre dhe policinë.
Edhe djali i viktimës, Emanuel Ujka, ka treguar se, babai i tij kishte konflikt të mprehtë me Aleksandër Kelmendin, i cili ka shtuar se, nuk është bërë shlyerja e faturës.
Sipas dosjes hetimore, Kristian Kelmendi, ka disa lëvizje në kufi. Në datën 24 nëntor ai ka hyrë në Shqipëri, por në material nuk thuhet nga cili shtet ai ka ardhur. Çuditërisht edhe pse nuk ka largim nga vendi, ai regjistrohet të hyjë nga pika e morinës në datën 30 nëntor, por nuk ka të dhëna për daljen.
Familjarët e tij pretendojnë se, Kelmendi ka qenë në një poligon qitje në Prishtinë në momentin kur është vrarë Pashko Ujka. Por policia dhe prokuroria, pretendojnë se kjo alibi nuk qëndron duke e akuzuar për vrasje.
/Burimi: OraNews.tv/