Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ka nisur mbikëqyrjen e tregut për zbatimin e nismës së qeverisë për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi.
“Trupa inspektuese e ISHMT-së ka nisur mbikëqyrjen në terren me hyrjen në fuqi të vendimit për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit, apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme”, bën të ditur ISHMT.
Prej datës 1 qershor, operatorët ekonomikë ndalohen të përdorin dhe ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.
Në rastet kur subjektet nuk respektojnë kërkesat e parashikuara të përcaktuara në këtë vendim, ISHMT ndalon tregtimin e qeseve plastike, procedon me sekuestrimin dhe marrjen e masave përkatëse sipas, parashikimeve ligjore.
Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë, deri në 1.5 milion lekë. Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit.
Qeset plastike njëpërdorimshe konsideron si faktori kryesorë i ndotjes në mjedis. Vetëm në Shqipëri llogaritej se qarkullonin mesatarisht rreth 3.2 miliardë gjatë një viti.