Policia e Lezhës ka zhvilluar një operacion antidrogë në Rrugën e Kombit, ku pas ndalimit të mjetit të dyshuar, nga rrethana të cilat nuk janë zbuluar ende, shofieri ka arritur që t’ia mbathë nga efektivët e policisë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Repsi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forca e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë.
Transportonin lëndë narkotike me automjet, vihet në pranga një shtetas dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 9 kg kanabis sativa, 1 automjet, 2 aparate celulare.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve, pas një hetimi disajavor të ndjekur nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve për 2 shtetas që do të transportonin me automjetin e tyre një sasi lënde narkotike në bashkëpunim me njëri tjetrin për shitje, gjatë pasdites së djeshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë finalizuar operacionin policor të koduar ” Repsi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në Rrugën e Kombit, në vendin e quajtur Reps, Mirditë, kanë lokalizuar lëvizjen e automjetit duke e ndaluar për kontroll, dhe në bagazh të automjetit, kanë gjetur 2 qese të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike e cila pas peshimit rezultoi 9 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Ç., 50 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi D. P., 53 vjeç, banues në Pukë, i cili gjatë ndërhyrjes së policisë, ka mundur të largohet. Vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim”.