Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka dalë në një konferencë ku po shpjegon detajet mbi planin e qeverisë për anijet e vogla dhe emigrantët ilegalë që hyjnë në ishull.
Në zyrën e Downing Street ka një slogan të skalitur në të, i cili lexon “ndaloni varkat”, gjë që tregon se ky do të jetë fokusi kryesor për qeverinë, ndërsa po shkohet drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman zbuloi më herët legjislacionin e diskutueshëm që synon të dekurajojë emigrantët që të kalojnë ilegalisht Kanalin.
Sunak, i kthyer në Londër, nga një vizitë në një qendër kontrolli të përbashkët të Home Office në Dover, tha se politika është “e thjeshtë”.
“Është ky vend dhe qeveria juaj që duhet të vendosë se kush do të vijë këtu dhe jo bandat kriminale”, tha ai.
Sunak u shpreh se numri i njerëzve që hyjnë ilegalisht në MB me varka të vogla është katërfishuar në dy vitet e fundit.
Kryeministri thotë se bandat kriminale që sjellin varka të vogla në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar e dinë se sistemi aktual mund të shfrytëzohet, duke shtuar se emigrantët mund të paraqesin disa pretendimesh “për të justifikuar largimin e tyre”.
Sunak përsëriti se njerëzit që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht do të largohen “brenda javësh” dhe do të marrin një ndalim të përjetshëm për të kërkuar azil, duke e krahasuar politikën me atë të Amerikës dhe Australisë.
Ai thotë se legjislacioni është “i ashpër”, por “i domosdoshëm” dhe “i drejtë”.
Kryeministri thotë: “Situata aktuale nuk është as morale dhe as e qëndrueshme, nuk mund të vazhdojë.
Është e padrejtë për britanikët që kanë hapur shtëpitë e tyre për refugjatët e vërtetë, por tani duhet të shpenzojnë gati 6 milionë funte në ditë për të vendosur emigrantët e paligjshëm në hotele”.
Ai shton se është “e padrejtë” për njerëzit që “kanë nevojë për ndihmën tonë“, përballen me një sistem “të mbingarkuar nga ata që udhëtojnë ilegalisht nëpër Kanal”.