Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së Sali Berisha.
Ndonëse dje në kremtimin e ‘Ditës së Çlirimit’ ishin të ndarë, ku Meta ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në të njëjtën kohë Berisha ka deklaruar se Dita e Çlirimit fesohet me 29 nëntor vetëm nga ‘e majta shqiptare’, sot dy krerët e partive zhvillojnë një takim së bashku.
I shoqëruar nga deputeti i PL, Petrit Vasili, Meta është parë të futet në ambientet e selisë së PD ku takimi ka zgjatur rreth një orë.
Pas daljes nga selia, Meta është shprehur për mediat se protesta e thirrur me 6 dhjetor nga PD nuk do sjellë asnjë problem dhe se kërcënimi i vetëm për Europën është Rama.
“Nuk vjen asnjë problem nga qytetarët e Shqipërisë. Nuk është çështje policie, por kushtetute. Jemi për Shqipërinë Europiane dhe jo për regjim policor. Në datën 6 përballë përgjegjësve për kapjen e shtetit dhe minimin e procesit të integrimit të BE. Sigurinë e Europës e kërcënon mafia që kërcënon shtetit për ta kthyer Shqipërinë në bazë logjistike të mafies. Nuk vjen problemi i sigurisë nga qytetarët e Tiranës dhe ata të mbarë Shqipërisë duke protestuar”, tha Meta.
Ky është takimi i dytë brenda një muaji që Meta takohet me Berishën, në selinë e PD-së. Takimi i fundit ndodhi 6 ditë më parë, aty ku dy liderët e partive biseduan për protestën e 6 dhjetorit dhe për procesin e Primareve.