‘Ndau’ paratë me bashkëshortin për një projekt/ Ministrja Margariti shkarkon drejtoreshën e AQSHF-së, Iris Elezi

Nepotizmi dhe ndarja e parave të projekteve me familjarë dhe të afërm, i ka “ngrënë kokën” një tjetër drejtuesi të një institucioni shtetëror në Shqipëri.

Fjala është për Iris Elezin, e cila është shkarkuar nga posti i drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Shkak për shkarkimin e saj është punësimi i bashkëshortit të saj, Tomas Logoreci, në të njëjtin institucion, ku eprorë është e shoqja.

Bazuar në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka urdhëruar shkarkimin e saj të menjëhershëm nga detyra, ndërsa në letër rendit të gjitha shkeljet e kryera prej saj.

Elezi ka kryer një sërë shkeljesh duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndërsa bashkëshorti i saj merrte pagën prej më shumë se një vitit, pasi ishte punësuar në projektin “MEAP”.

Por nuk mbaron këtu. Elezi duket se nuk ka pasur marrëdhënie të mira as me vartësit e tjerë, pasi në një prej pikave për shkarkimin e saj, shkruhet se ka pasur probleme edhe me komunikimin me punonjësit e institucionit.

Pas shkarkimit, vendim i cili u mor ditën e sotme, nuk ka ende asnjë reagim nga vetë Elezi, ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i saj në post.

Arkivi Qendror është institucion nën varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë dhe merret me ruajtjen, përpunimin shkencor, pasurimin me materiale të reja dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore filmike, për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *