“Është ndër të paktët, ose i vetmi kryetar shteti që është një dhurues periodik vullnetar gjaku”. Ishte ky vlerësimi që i bëri dje Presidentit Ilir Meta, kreu i IFBDO-së, Gianfranco Massaro, tek sa i dorëzoi atij në presidencë çmimin ndërkombëtar.
Vlerësimi i djeshëm nga Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut”, për Presidentin Meta, erdhi në përvjetorin e tretë të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.
Nën kujdesin e veçantë të Presidentit, u organizua një ceremoni solemne me rastin e 3-vjetorit të themelimit të këësaj aleance, gjatë së cilës Kreu i Shtetit shqiptar u nderua me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut” nga Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut (IFBDO).
Në këtë aktivitetin të zhvilluar në kopshtin e Institucionit të Presidentit të Republikës, ishin të pranishëm edhe Presidenti i IFBDO, z. Gian Franco Massaro dhe Sekretarja e IFBDO-së, Dr. Valentina Ruccolo, personalitete të shëndetit publik, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe institucioneve të pavarura, si dhe të shoqatave e forumeve të ndryshme të shoqërisë civile.
Presidenti Meta, çmoi lart punën e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, si dhe përsëriti apelin e tij për një ndërgjegjësim sa më të madh të opinionit publik dhe të dhuruesve vullnetarë, që të mbështesin këtë nismë sa humane, aq edhe fisnike për të përmbushur nevojat jetike të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë pacientëve që u nevojitet gjak.
“Që prej 17 korrikut 2018, kemi ndërmarrë një rrugëtim të përbashkët në mbështetje të një kauzë shumë humane e jetike: dhurimi i gjakut.
Të japësh, të dhurosh, pa marrë asgjë në shkëmbim, është thelbi i kauzës së dhurimit të gjakut.
Këto 3 vite, nga themelimi i ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’, kanë qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Kemi njohur dhe takuar me dhjetëra e qindra vullnetarë, që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak, me dëshirën e madhe për të shpëtuar jetë.
Për të shpëtuar fëmijë talasemikë, që kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, ashtu si edhe për të shpëtuar pacientë të tjerë, që kanë nevojë për gjak, për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale, të traumave të ndryshme, të komplikacioneve gjatë lindjes apo për shkak të aksidenteve.
Për të ndihmuar gjithashtu, të gjitha ata, që në një moment të jetës së tyre, kanë nevojë urgjente për gjak, duke menduar që, gjaku i dhuruar shpëton jetën e dikujt, që një ditë mund të jetë i afërmi, miku, familjari ynë, apo edhe ne vetë.
Kjo Aleancë lindi për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar të gjithë shoqërinë tonë, për rëndësinë e dhurimit të gjakut, për të rritur numrin e dhurimeve vullnetare, si dhe për të nxitur vullnetarizmin e solidaritetin.
Pas 3 vitesh nga themelimi, arsyet që na nxitën të krijonim Aleancën, mbeten ende shumë të vlefshme dhe të forta dhe besoj që do të vazhdojnë të mbeten të tilla, deri në momentin kur, shoqëria jonë do të arrijë të plotësojë totalisht nevojat për gjak, nëpërmjet dhurimeve vullnetare. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të arritur këtë objektiv të Aleancës”,- tha ndër të tjera Presidenti Meta.
/Priza.al/