Kuvendi gjatë ditës së sotme ka nisur me debate të ashpra, ku seanca plenare e ditës së sotme është pezulluar për 5 minuta, pasi kryedemokrati Sali Berisha dhe disa deputetë bllokuan foltoren.
Në këtë moment, drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj njoftoi se seanca do të pezullohej për 5 minuta. Deputeti Flamur Noka kundërshtoi ashpër rendin e ditës në Kuvend lidhur me kohën e debatit që kanë deputetët për të debatuar për integrimin europian.
“Këtu vjen një kryeministër, flet me një gjuhë prej horri dhe këtu jo vetëm që nuk reagohet por ata aty shohin me admirim, këta këtu shohin me adhurim. Pastaj pse dy deputetë reagojnë ndaj sharjeve përjashtohen. Kjo është e papranueshme, është e turpshme për një Parlament. Te rasti i zonjës Xhaçka, duhet debat i gjerë. Nuk ka precedent në botë ti jepet investitor strategjik titulli ministres. E bëni vetëm ju. Kjo tregon që jeni një bandë që doni vetëm të vidhni dhe kërkoni që të mos reagojë njeri. Këtu keni nxjerrë një listë diskutantësh. A jam unë deputet? Pse unë kam 2 minuta kohë, ndërsa kolegët e tjerë nga 20 minuta të lexojnë hartime?”, u shpreh Noka.