Lufta në Ukrainë u ka marrë jetën edhe dy djemve me origjinë shqiptare.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko në një postim në Facebook. Majko ka shkruar se është njoftuar nga Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë për vdekjen e dy djemve me origjinë shqiptare.
“Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur. Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga radhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë”, shkruan Majko.
Dermentli Anatoly, lindur më 3 shtator të vitit 1980 ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit në rajonin e Odesës. Ai u mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias.
Kurse Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka rajoni i Zaporozhias.
Postimi i plotë:
Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur.
Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga radhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj. Ata ishin:
Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi.
Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias). Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.
Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonistë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre.
Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre!