Ndërron jetë ish senatori amerikan Bob Dole, i konsideruar një mik i shqiptarëve!

Ish senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98 vjeçare. Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Twitter, duke theksuar se ai vdiq në gjumë. Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo.

Në muajin shkurt të këtij viti, ish senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri. Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat.

Ai u përpoq tre herë të bëhej president. E fundit ishte në vitin 1996, kur ai ishte kandidat republikan dhe humbi në garë me ish presidentin Bill Clinton. Ai kërkoi nominimin presidencial të partisë së tij në vitin 1980 dhe në vitin 1988, ndërsa ishte kandidat për zëvendëspresident në vitin 1976 bashkë me ish presidentin Gerald Ford.

Ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti

Ish- Senatori Dole, është një legjendë e politikës dhe ndërgjegjes amerikane. Si ushtar në Luftën e Dytë Botërore, ai u plagos rëndë në Itali në vitin 1945 dhe asnjëherë nuk rifitoi komandën e dorës së djathtë.

Që atëherë, ai gjithmonë mbante një laps në atë dorë, në mënyrë që askush që e takonte të mos përpiqej t’ia shtrëngonte atë.

Ai filloi karrierën 35 vjeçare në politikë në moshën 27 vjeçare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat, ku i bë kreu i republikanëve, një post që e mbajti për afro 11 vjet nga 1985 – 1996.

Ai ishte kandidat republikan për president në vitin 1996 por humbi garën para Bill Clintonit, i cili kandidonte për rizgjedhje, Pasi humbi, ai dha dorëheqjen nga Senati.

Hero për shqiptarët

Ish- Senatori Dole kujton se megjithëse humbi në fushatën presidenciale, ai kishte fituar votat e pothuajse gjithë shqiptarëve. Dhe për një arsye të fortë. Zoti Dole është një hero për shqiptarët për rolin që luajti për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës.

Për këtë arsye, Xhim Xhema, një biznesmen dhe veprimtar i kahershëm shqiptaro-amerikan dhe mik i zotit Dole, që e ndihmoi edhe gjatë fushatës presidenciale, nuk mund ta mos ishte i pranishëm në ceremoni:

“Senatori Dole, nuk është vetëm një hero amerikan, por një hero i madh shqiptar, një shqiptar i madh. Ai na shpëtoi dy herë. Kur filloi lufta dhe Serbia na përzuri nga shtëpitë tona. Më pas ishte ishte personi kryesor që e bindi Senatin të mbështeste Bill Clintonin që të ndërhynte kundër ish-Jugsllavisë, atëherë Serbia.”

Por ai shton se angazhimi i tij ishte instrumental edhe më pas, duke thënë se ishte ai që e bindi ish-Presidentin Bush që të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

“Pra për herë të dytë ai na shpëtoi. Ai është heroi ynë dhe na shpëtoi dy herë nga pushtimi. Unë them se përveç Skënderbeut, Bob Dole është figura më e rëndësishme, në historinë e Shqipërisë dhe i kemi një borxh të madh”, thotë zoti Xhema.

Elmi Berisha, veprimtar shqiptaro-amerikan, që ka bashkëpunuar me zotin Dole, si ish-përfaqësues i posaçëm i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Shtetet e Bashkuara, tha se ceremonia është e rëndësishme sepse po dekorohet një hero amerikan por edhe sepse…

“Po dekorohet një hero amerikan tek shqiptarët, sepse senatori Dole është një nga njerëzit kryesorë, i cili ka ndihmuar në pavarësinë e Kosovës. Sikur të mos ishte senatori Dole, pavarësia e Kosovës do të ishte pak më ndryshe.”.

Arsyeja tjetër thotë ai, ishte miqësia e zotit Dole me ish-Presidentin Ibrahim Rugova.

“Burra si senatori Dole, personalitete si ai i senatorit Dole, vijnë rrallë dhe janë të pashlyeshëm në historinë e shqiptarëve, kryesisht në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me pavarësinë e Kosovës. Prandaj ne si shqiptaro-amerikanë, duhet të mos ndalemi asnjëherë por të punojmë me miqtë tanë amerikanë siç e kemi senatorin Dole dhe miq të tjerë që i kemi ende dhe miq të rinj që do të vijnë në Kongres dhe në Senat dhe ta ndërtojmë dhe të kultivojmë marrëdhëniet të cilat kanë qenë tradicionale që thoshte presidenti historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova që duhet të jemi dhe të mbetemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Amerika është jetike për shqiptarët. Shqiptarët i janë mirënjohës tërë jetën Amerikës”.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike.

Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *