Deputeti i PD, Ervin Salianji i ka kërkuar qeverisë informacion në lidhje me ndërtimet pa leje dhe ndëshkimet që po u bëhen qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Salianji ka shpërndarë për publikun e gjerë disa raste ku qytetarët janë akuzuar për veprën ‘Ndërtim i paligjshëm’, ku shumica prej tyre janë arrestuar.
Sakaq ka drejtuar pyetjen: A është ligji i barabartë për të gjithë?
‘Pas përgjigjes zyrtare nga qeveria, do të verifikojmë në terren çdo rast të pafuqisë dhe përkëdheljes që ju bën shteti oligarkëve që ka pasuruar vetë dhe çdo rast do ta depozitojmë në institucionet e drejtësisë!’, shkruan ndër të tjera ai.
Statusi i plotë:
Burg për qytetarët, amnisti dhe shoë për të pasurit!
Vetëm vitet e fundit janë dënuar mijëra qytetarë, raporti i Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit, pasqyron mijëra rastet e referuara për veprën “Ndërtim i paligjshëm”. Për të kuptuar shtetin e ndërtuar nga Rama po ju tregoj tre raste te pasqyruara në media; Sokol Negollari u arrestua se po ndërtonte pa leje shtëpinë e re pranverën e 2016-s në një fshat të Kavajës. Ai u kap teksa kishte prishur banesën e vjetër dhe në të njëjtin truall po ngrinte shtëpinë e re.
Mediat më pas raportuan që ndaj tij u mor masa arrest me burg dhe u transferua në burgun e Rrogozhinës. Më 7 maj 2016, familjen e pllakos tragjedia, teksa bashkëshortja bën aksident me makinë në afërsi të Kavajës. Ajo udhëtonte me makinë për në burgun e Rrogozhinës së bashku me tre fëmijët e çiftit. Nga aksidenti gjetën vdekjen dy fëmijët 3 dhe 5 vjeç, ndërsa u plagos bashkëshortja dhe fëmija tjetër 13 muajsh. Të afërmit e familjes fajësuan shtetin për tragjedinë, duke e akuzuar se mbajtën me pa të drejtë gjatë në burg Sokol Negollarin për ndërtimin pa leje.
Shtetasi P.B., në atë kohë 63 vjeç me banim në Fushë-Krujë. Në 2016, ky shtetas vendosi të zgjasë rrethimin me mur të shtëpisë private (avllinë), kuptohet që burgu e pret dhe ndërtuesin e madh të avllisë. Rasti i tretë është i shtetasit I.SH., 58 vjeç nga Peqini. Ai në vitin 2018 teksa ishte duke shkuar në punë me mjetin e tij motoçikletë “Papaq”. Në mjet kishte çantën me “ armët e krimit ” me mistrinë, metër, plumbëçen me fijen që përdoret për orientim gjatë ngritjes së murit dhe mjete të tjera që i shërbenin për punë.
Të tre rastet janë tregues se cila prej kategorive të qytetarëve përballet dhe ndëshkohet ashpër nga qeveria! Nëse je i varfër, bëse ske mundësi e lidhje me qeverinë, përfundon në burg për një avlli, për një suvatim apo se mban mistri me vete, nëse ke abuzuar, ke përfituar nga fondet publike, ke ndërtuar pa leje mijëra metra katror në mes të Tiranës, qeveria e Ramës të përkëdhel, të legalizon! Nisur ka këto raste dhe mijëra raste qytetarësh që dhunohen nga qeveria përditshëm, i kam kërkuar dje informacion qeverisë për rastet e konstatuara si ndërtime të paligjshme. A është ligji i barabartë për të gjithë? A ka pasur proçedime penale për oligarkët që qeveria i kap në shkelje të ligjit dhe bën shoë mediatik me ministrat! Pas përgjigjes zyrtare nga qeveria, do të verifikojmë në terren çdo rast të pafuqisë dhe përkëdheljes që ju bën shteti oligarkëve që ka pasuruar vetë dhe çdo rast do ta depozitojmë në institucionet e drejtësisë!