Federata, trajneri Reja dhe stafi i tij, por më së shumti lojtarët e Kombëtares duan ta mbyllin fushatën e Ligës së Kombeve me një fitore. Impenjimi do të jetë i madh në radhët e lojtarëve të cilët nuk e përjetuan aspak qetë humbjen me Izraelin. Kuqezinjtë duan të fitojnë për shumë arsye, mbi të gjitha për të mbështetur futbollistët e rinj në skuadër, por edhe për të rikthyer shpresën e tifozërisë.
Nga ana tjetër tekniku Reja po bën llogaritë e fundit se cilët lojtarë do të hedhë nga minuta e parë në fushë, apo sa minuta do të impenjojë rezervat. Ajeti është sërish në dyshim ndërsa Uzuni ka dëshirë të luajë duke sakrifikuar edhe fizikisht pas lëndimit të marrë.
Për të patur rezultat, qoftë edhe barazim, Reja do t’u besojë më së shumti lojtarëve me eksperiencë dhe atyre që kanë luajtur rregullisht në klubet e tyre në Europë. Futbollistët e rinj shfaqën shenja lodhjeje dhe tekniku italian nuk do të rrezikojë.
Pritet të ndryshojë edhe rreshtimi në krahasim me atë ndaj Izraelit. Mund të rikthehet vendosja 5-3-2 ose 4-3-1-2 me një futbollist si Bajrami që do të mbështesë dy sulmuesit.
Kjo është ndeshja e fundit në ligën e kombeve dhe vendi i dytë në grup, synim edhe i Islandës mund të favorizojë në shortin e kualifikueseve të Europianit që do të hidhet më 9 Tetor.