Ditën e nesërme do të zhvillohet ndeshja Shqipëri- San Marino, e cila është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Ajo do të zhvillohet nesër ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Në lidhje me këtë ka folur sot trajneri i Kombëtares shqiptare Edi Reja.
Reja i ka kujtuar ekipit të tij se pavarësisht se ata janë favorit për triumf në këtë ndeshje, duhet të bëjnë shumë kujdes pasi kundërshtari është shumë i rrezikshëm. Ai është shprehur se nuk i intereson që loja të jetë e bukur, por për të kanë rëndësi tre pikët.
Tekniku italian vlerësoi si shumë të rëndësishme përballjen ndaj San Marinos e cila do të jetë vendimtare për fatet e kualifikimit në Botëror.
“Nuk më intereson loja e bukur, ndaj San Marinos dua 3 pikët. Ka ndodhur shpesh që pas një fitoreje ne mund ti marrim lehtë ndeshjet. Ndaj San Marinos do ta kemi të vështirë, ajo është një ekip i organizuar, duhet të kemi përqendrim dhe të bëjmë lojë të mirë. Duhet t’i lëmë sa më pak hapësira sepse janë të rrezikshëm. Kjo është ndeshja jonë vendimtare, nuk mendoj asgjë tjetër pavarësisht se Polonia luan ndaj Anglisë, unë mendoj vetëm për sfidën tonë. Kemi konkurrent të fortë në këtë grup. Kemi Hungarinë që ju e keni parë që është e fortë fizikisht. Edhe Polonia është e fortë ka kualitet. Edhe ne kemi pasur rritje, i kemi treguar në ndeshje, mendoj që çelësi është ndryshimi i mentalitetit të Shqipërisë. E kam thënë edhe pas ndeshjes me Hungarinë që sulmuesi është mbrojtësi ynë i parë, tani kemi bërë dhe gabime dhe që duhet ti analizojmë sa më mirë. Duhet të kemi përqendrimin e duhur dhe nëse mia dalim mbanë do të luajmë shanset tona deri në fund”, tha Reja.
/Priza.al/