Polakët as që nuk e mendojnë një humbje në “Air Albania”, ku vijnë me synimin për të marrë tre pikët dhe për të blinduar pozitat në vendin e dytë, teksa që tani kanë filluar të llogaritin edhe kundërshtarët e mundshëm në fazën play off.
Megjithatë për të njohur më mirë kuqezinjtë, ka menduar gazetari Michal Bialonski, i cili shoqërohet në Tiranë nga ish sulmuesi i kombëtares shqiptare, Enkelejd Dobi, i cili prej vitesh jeton e ushtron profesionin e trajnerit në Poloni.
Në një kronikë, gazetari shpjegon për polakët rritjen që ka pësuar futbolli shqiptar në 20 vitet e fundit dhe nxjerr në pah sesi presidenti i FSHF-së, Armando Duka u ka besuar vazhdimisht mjeshtrave italianë të taktikës.
“Futbolli shqiptar ka njohur rritje të madhe në 20 vitet e fundit, me biznesmenin Armand Duka në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili më herët ka qenë pronar i klubit të Erzenit në Shijak.
Fokusi i tij në punën shumë-vjeçare në krye të FSHF-së ka qenë përmirësimi i infrastrukturës dhe rritjen e përgatitjes së trajnerëve. Për këtë të fundit ai ka përdorur trajnerë italianë, me drejtorin teknik të Covercianos që ka vizituar shpesh Shqipërinë.
Edhe tani trajneri Reja e pjesëtarët e tij të stafit, janë të angazhuar jo vetëm te puna në kombëtare, por edhe te përmirësimi i nivelit të njohurive të trajnerëve”,- thuhet ndër të tjera në kronikë.
Sa i përket kombëtares shqiptare, gazetari polak shprehet se kuqezinjtë vijnë në momentin më të mirë, teksa evidenton se te Shqipëria nuk ka yje, por një grup shumë të mirë futbollistësh, të cilët ndjekin trajnerin e tyre.
“Humbja ndaj Shqipërisë, do të shkaktonte një ndjenjë të panjohur më parë për ne, megjithatë ata vijnë në momentin më të mirë, pasi plot 8 futbollistë luajnë në Serinë A dhe të tjerë në Premier League e La Liga. Ata nuk kanë fenomenë në ekip, por një grup profesionistësh, që ëndërrojnë dhe ndjekin trajnerin e tyre”, shprehet gazetari polak.
/Burimi: Supersport/