Policia e Shtetit, plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Moldavisë, që do të zhvillohet sot, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Shtetit konsistojnë në ushtrimin e kontrollit të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit është një tjetër masë që do të merret për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës. Kështu që nesër duke filluar nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës deri te stadiumi;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, nga ambasada e SHBA-së deri te stadiumi;
-rruga “Asim Zeneli”, nga ambasada e SHBA-së” deri te stadiumi;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i liceut deri te stadiumi;
-rruga “Mustafa Matohiti”, nga shkolla “Kosova” deri te stadiumi;
-rruga “Jul Variboba”, nga posta deri te stadiumi;
-rruga “Gjergj Filipi”;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Gardës së Republikës deri te stadiumi;
-rruga “Avdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri te stadiumi.