Kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës sensibilizuese “ Turqia, një zemër”, që u transmetua njëherësh në 13 kanale televizive turke.
Në një lidhje telefonike live, Rama shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe njëherësh deklaroi mbështetjen për popullin turk.
“Jam shumë i nderuar që të jem pjesë e këtij programi sensibilizues, si përfaqësues i Shqipërisë. Vendi ynë mbajti të hënën një ditë zie kombëtare, për të shprehur solidaritetin dhe nderuar viktimat e tragjedisë. Ne nuk do ta harrojmë çfarë bëri Presidenti Erdogan pas tërmetit të vitit 2019. Ne jemi me popullin turk. Në emër të popullit shqiptar ne duam të dhurojmë 1 milionë euro. E di që kjo nuk është asgjë, pasi nevojat janë shumë shumë më të mëdha.” – tha Rama.
Gjatë fushatës “Turqia një zemër”, vetëm brenda 2 orë e gjysmë u grumbulluan rreth 5 miliardë euro.
Nga dy tërmetet e 6 shkurtit me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me epiqendër në Kahramanmaraş, u prekën mbi 13 milionë njerëz në dhjetë provinca turke.