Fiorentina nuk heq dorë nga Nedim Bajrami. Klubi “vjollcë” kërkon me çdo kusht shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, që bëri një sezon mjaft të mirë me Empolin në Serinë A.
“Sky Italia” ka shkruar këtë të shtunë se Fiorentina e ka në fokus Bajramin, pasi mesfushori me tipare sulmuese pëlqehet shumë edhe nga vetë trajneri Vincenzo Italiano. Janë të mëdha shancet që klubi “vjollcë” në ditët në vijim të futet “all in” në merkato për të siguruar shërbimet e shqiptarit.
Bajrami është pjesë e futbollit italian që prej verës së vitit 2019 kur u huazua fillimisht tek Empoli nga Grasshoperi i Zvicrës.
Ai ndihmoi skuadrën të ngjitet në Serinë A, ndërsa edicionin e kaluar shënoi nëntë gola e pati shtatë asistime në 38 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.