KATAR – E papritur! Lojtari i Real Madridit, Karim Benzema, mori lejen nga klubi i tij për të ndjekur finalen e Kupës së Botës në Katar.
Sigurisht, me kusht që kombëtarja franceze të mposhtë Marokun në gjysmëfinale të Botërorit, shkruajnë mediat spanjolle.
Benzema u dëmtua gjatë stërvitjes së kombëtares më 19 nëntor, një ditë para fillimit të Botërorit dhe diagnoza e parë tregoi se ai do të mungojë për tre javë.
Ai mbeti në listën e kombëtares franceze, pasi trajneri i “trikolorëve” Didier Deschamps, vendosi të mos thërriste zëvendësues për sulmuesin e Realit, i cili së fundmi fitoi “Topin e Artë”.
Futbollisti francez i është bashkuar stërvitjes së Realit të shtunën e kaluar ndërkohë “trikolorët” sonte do të luajnë në gjysmëfinale të Botërorit me Marokun. Finalistja e parë është skuadra e Argjentinës, e cila mbrëmë ka mundur 3:0 Kroacinë.
Mediat spanjolle raportojnë se Benzema do të marrë një medalje të artë nëse Franca do të arrijë në finale dhe do të fitojë titullin e kampionit të botës, pasi zyrtarisht është në listën e “tricolorëve” për Botërorin e Katarit.