Ndodh në Tiranë/ Foshnja 18 muajsh thyen këmbën në çerdhe. Stafi e fsheh ngjarjen, prindërit e denoncojnë në polici

Prindër, tregohuni të kujdesshëm me fëmijët tuaj kur i çoni në çerdhe dhe kopësht, por jo vetëm kur i çoni por edhe kur i merrni përsëri…

Ka gjasë që t’ju ndodhë si kjo familje nga Tirana, e cila ka çuar fëmijën e vogël në çerdhe por e ka marrë prej andej me këmbë të thyer.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në një çerdhe private në kryeqytet, ku një foshnjë ka thyer këmbën si pasojë e pakujdesisë së stafit edukator, me gjasë pas ndonjë rrëzimi.

Por duket se të qarat e mëdha të fëmijës nuk e kanë shqetësuar aspak stafin edukator dhe as pronaren e çerdhes, që për më tepër është munduar t’ua fshehë këtë ngjarje prindërve.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se, dje i janë referuar prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë materialet për shtetasen me inicialet V.H., 46 vjeçe, pronarja e kësaj çerdheje, pas denoncimit të bërë nga shtetasi me inicialet O. J.

Ky i fundit ka kallëzuar se gjatë qëndrimit në çerdhe të fëmijës së tij 18 muajsh, ai ka dëmtuar dhe ka thyer kockën e këmbës.

Aktualisht policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, që me gjasë është munduar të mbahet e fshehtë nga stafi i çerdhes private.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *