Ndoqën nënën e tij, Policia zbuloi bazën ku fshihej Dumani në Gjilan por u kthyen duarbosh

Dyshohet se efektivë të forcave speciale policiore  kanë qenë një ndihmesë për arratisjen e shumëkërkuarit Nuredin Dumanit drejt shtetit të Kosovës.

Në muajin Shkurt dhe Mars 2022, anëtarë të dy njësive speciale policore skuadrës operacionale dhe FAST kanë qënë në Kosovë, me qëllim arrestimin e të shumëkërkuarit, Nuredin Dumani.

Dumani kishte 2 vite që ishte i kërkuar nga policia për vrasjen e Bujar Çelës në Elbasan dhe dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në Durrës.

Policia kishte rënë në gjurmët e Dumanit dhe njëherësh në fillim të vitit 2022, kishte zbuluar bazën se ku fshihej ai në Gjilan.

FAST ka ndjekur disa herë nënën e Dumanit nga Durrësi në drejtim të Kosovës, shtet në të cilën ajo shkonte blinte rroba të përdorura dhe i tregtonte në Durrës. Përmes këtij gjurmimi, policia ka krijuar bindjen se njeriu që kërkonte fshihej në Gjilan.

Një grup i skuadrës së operacionales dhe FAST-it në policinë e Shtetit udhëtoi drejt Gjilanit, duke rrethuar pallatin ku fshihej Dumani.Por megjithëse informacioni ishte i saktë se Dumani ndodhej në apartament, si operacionalja dhe FAST, nuk mundën ta kapin duke kthyer duarbosh në Tiranë.

Momenti i rrethimit dhe dështimit policor, ka dalë 1 muaj e gjysëm më vonë, duke u treguar nga vetë Dumani para prokurorëve të SPAK. Për këtë dështim, ende nuk është bërë asnjë analizë nga ana e policisë së shtetit, me qëllim nxjerjen e shkaqeve se pse Nuredin Dumani, çau krejt i qetë kordonit rrethues të agjentëve të policisë.

Rrethimi në Gjilan, dështoi dhe për këtë janë ngritur dyshime të forta se dikush brenda policisë e ndihmoi atë të ikë fillimisht në Pejë e më pas në Prizren.

Ai ka hyrë në mesin e muajit Mars në territorin e Shqipëri, duke përdorur pikën kufitare të Morinës në Kukës. Sërisht askush nga policia kufitare nuk ka ushtruar kontroll ndaj tij. Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 Marsit 2022, në një apartament në Fier, ku ai kishte mbetur i plagosur në atentatin e Papërit.

 

 

/abc

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *