Çdo fëmijë ka temperamentin e tij dhe një mënyrë unike të bashkëveprimit me njerëzit dhe situatat rreth vetes.
Ka fëmijë që nuk ndihen shumë mirë në disa situata sociale dhe mund të bëjnë përpjekje të mëdha për të qëndruar larg tyre.
Kur ndrojtja e fëmijëve është e tepërt?
Në përgjithësi, të qenit i turpshëm nuk duhet t’ju shqetësojë as juve dhe as fëmijën. Fëmijët e drojtur rezulton të jenë dëgjues më të mirë dhe nuk u tërhiqet vëmëndja për sjellje të keqe në shkollë. Ndrojtja është e tepërt kur fëmija duket i pakënaqur ose ka turp më shumë se zakonisht pa qenë e nevojshme.
Shkaqet e ndrojtjes tek fëmijët
Personaliteti: Një fëmijë që është emocionalisht i ndjeshëm ka më shumë gjasa të rritet dhe të shfaqë një sjellje të ndrojtur, edhe kur është adoleshent apo edhe si i rritur.
Gjenetika: Përbërja gjenetike e një fëmije mund të jetë pjesërisht përgjegjëse për ndikimin në këtë aspekt të personalitetit të tij.
Mungesa e ndërveprimit social: Fëmijët nuk mund të zhvillojnë aftësitë e nevojshme sociale nëse ata janë izoluar shoqërisht në vitet e tyre të hershme.
Frika nga dështimi: Fëmijët, kur shtyhen përtej aftësisë së tyre për të vepruar, mund të fillojnë të kenë frikë nga dështimi që mund të perceptohet si ndrojtje.
Kritika: Kur prindërit, vëllezërit e motrat apo miqtë e ngushtë kritikojnë, detyrojnë ose ngacmojnë një fëmijë në vitet e hershme të tij, kjo mund të çojë në ndrojtje.
Familja: Mbi-mbrojtja nga prindërit mund të çojë në frikë dhe pengim, kur fëmijët janë në situata të reja ose të panjohura.
Sjellja e mësuar: Prindërit e ndrojtur shpesh kalojnë pa e kuptuar ndrojtjen tek fëmijët e tyre. Prindërit janë modeli i parë i fëmijës dhe fëmijët mund të mësojnë nga imitimi i sjelljes së tyre .
Kur ndrojtja mund të jetë një problem tek fëmijët?
Kur prindërit vërejnë se fëmija i tyre është i ndrojtur, ata kanë gjasa të pyesin nëse kjo sjellje është normale apo duhet të shqetësohen. Mund të jetë normale që një fëmijë të kapet pas prindërve kur takon njerëz të rinj ose në një situatë të panjohur. Kjo mund të bëhet një problem nëse është një fazë që nuk po kalon. Duhet t’ju shqetësojë kur vëreni fëmijën tuaj duke luajtur vetëm ndërkohë që është në një grup. Kontrolloni duke pyetur edhe mësuesit nëse fëmija juaj është i turpshëm me fëmijët e moshës së tij në shkollë ose lagje.
Komplikimet e ndrojtjes te fëmijët
Cilësia e jetës së fëmijës suaj mund të ndikohet rëndë nëse ai / ajo është vazhdimisht i turpshëm duke çuar në:
Mos pjesëmarrje në aktivitetet e fëmijërisë si sport, vallëzim, muzikë apo dramë që janë shpërblyese dhe argëtuese.
Kjo mund të çojë në më pak mundësi për të praktikuar aftësitë sociale dhe më pak mundësi që të zhvillohet si individ
Ulja e vetëbesimit dhe ndjenjave të izolimit ose të parëndësisë
Nuk mund të arrijë potencialin e plotë për shkak të frikës për t’u gjykuar
Nivelet e larta të ankthit
Dridhja, ndjenja e turpit dhe belbëzimi janë efekte fizike që mund ta ngatërrojnë më tej fëmijën.
Këshilla për të ndihmuar fëmijën tuaj të ndrojtur
Së pari, kuptoni se ndrojtja është një tipar personaliteti dhe jo faji i fëmijës suaj. Pranimi i tij është hapi i parë që duhet të bëni për ta ndihmuar.
Diskutoni me fëmijën: Fëmijët bëhen të nënshtruar dhe të ndrojtur nëse janë prezentë gjatë zenkave, divorceve ose abuzimit seksual. Mbajini larg situatave të tilla sa më shumë që të jetë e mundur. Kërkoni këshilla profesionale nëse fëmija juaj ka qenë i ekspozuar ndaj ndonjë traume. Bisedoni me mësuesit e tij dhe pyesni për sjelljen e tij në shkollë pasi kjo do t’ju japë njohuri. Ndani strategjitë që keni mësuar gjatë viteve për të kapërcyer drojtjen. Praktikojini ato së bashku me fëmijën tuaj, për të rritur besimin e tij.
Nxitni komunikimin: Ju mund t’i kërkoni fëmijës tuaj të ndërveprojë dhe të flasë hapur me fëmijët e moshës së tij. Organizoni një festë lojërash gjatë fundjavës dhe ftoni fqinjët, fëmijët e shkollës ose kushërinjtë e moshës së tij kështu që ta ikurajoni fëmijën të jetë më i hapur për t’i shfaqur emocionet hapur.
Bëhuni Empatikë: Mos e gjykoni dhe përsëritini se ai është një qenie e shkëlqyer njerëzore dhe nuk duhet të ndihet keq për veten e tij.
Motivoni dhe inkurajoni: Shumica e prindërve nuk dinë të kapërcejnë ndrojtjen e fëmijëve, por nuk kanë nevojë për ndonjë aftësi të veçantë. Nxiteni fëmijën të krijojë identitetin e tij duke bërë gjëra që i pëlqen, pa u shqetësuar për të tjerët. Tregoni pikat e forta dhe aftësitë e tij dhe ndihmoni që ai të rritet si individ.
Shmangni etiketimet: Ndërsa jeni në një mbledhje shoqërore, mos e etiketoni atë si një fëmijë të ndrojtur, pasi kjo do të thyejë besimin e tij.