Ndryshimet ligjore/ Gjykata e Lartë takim online, Kim: Moment i rëndësishëm historik për reformën në drejtësi

U zhvillua sot takimi online për Garantimin e efektivitetit të gjykimit në Gjykatën e Lartë. Në qendër të këtij takimi ishin ndryshimet më të fundit në ligjet proceduriale civile, administrative dhe penale, për hartimin e të cilave Gjykata e Lartë ka dhënë kontributin e saj.

Ky takim është organizuar të enjten, nga Gjykata e Lartë me mbështetjen e misionit EURALIUS V, me qëllim njohjen e praktikantëve të së drejtes me këto ndryshime. Në të merrnin pjesë, krahas gjyqtarëve të të gjitha niveleve, avokatëve, juristëve dhe pedagogëve nga Shkolla e Magjistraturës, edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Zj. Yuri Kim dhe përfaqësuesja e OPDATE Zj. Michelle Lakomy.

Zëvendëkryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, në fjalën e tij të hapjes së këtij takimi u shpreh se kishte ardhur koha që rritja e besimit të publikut tek kjo gjykatë të shoqërohej edhe me marrjen e disa hapave të rëndësishëm ligjorë, sikurse janë ndryshimet e fundit procedurale, në mënyrë që të arrihej eficenca dhe efektiviteti i gjykatës. Z. Sadushi ka vlerësuar dhe përshëndetur rolin e të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, duke veçuar ndihmën e pakursyer edhe të Ambasadorit të Bashkimit Evropian Z.Luigi Soreca, misionit EURALUS V, si edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nëpërmjet OPDAT.

E ftuar në këtë takim, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Zj. Yuri Kim, në fjalën e saj përshëndetëse, shprehu edhe një herë mbështetjen e SHBA kundrejt zbatimit të reformës në drejtësi dhe veçanërisht ndihmës konkrete që po i jepet Gjykatës së Lartë nëpërmjet Marrëveshjes së Mirëkuptimit për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *