Partia Demokratike i ka konsideruar ndryshimet e fundit në polici si një lojë për t’u hedhur hi syve shqiptarëve.
Me anë të një deklarate për shtyp, deputeti i zgjedhur, Enkeljed Alibeaj, tha se krimi ndihet i paprekshëm, pasi sipas tij, i ka shërbyer pushtetit në rrëmbimin e të drejtës së qytetarëve për të votuar të lirë.
Alibeaj përmendi ish-zyrtarë, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në polici, por që sipas tij, janë shkarkuar, pasi kanë bashkëpunuar me krimin.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
Shqiptarët dëgjuan sot kryeministrin në rolin e shejtanbudallait, që pas 2 mijë e 920 ditësh, pra 8 vitesh, në një pushtet të fituar me mbështetjen e krimit dhe që e ushtron në mbështetje të krimit, t’u japë 100 ditë afat drejtuesve të policisë për të gjetur të infiltruarit në rreshtat e forcave të rendit.
Shqiptarët dëgjuan themeluesin e modelit të bashkëpunimit me krimin, atë që futi njerëz me rekorde kriminale në parlament, bashki dhe administratë, të zgjohet një ditë vere dhe të flasë për bashkëpunim të policisë me krimin.
Fatkeqësisht kjo nuk është shaka, madje kjo nuk mund të quhet më as hipokrizi, kjo është një lojë për t’u hedhur hi syve të qytetarëve, që vuajnë modelin e krijuar nga Edi Rama, atë të bashkëqeverisjes me krimin.
Ndaj edhe situata e rendit dhe sigurisë në vend nuk mund të kishte rezultat tjetër, përveç revanshit të krimit që ndihet i paprekshëm pasi ka shërbyer pushtetin në rrëmbimin e të drejtës të qytetarëve për të votuar të lirë.
Prej vitesh Partia Demokratike ka mbështetur policët e ndershëm të tradhëtuar nga regjimi Rama-Doshi.
Ne e dimë që një polic që kërkon t’i shërbejë ndershmërisht qytetarëve, nuk mund të ndihet i sigurt në ushtrimin e detyrës së tij kur sheh që kryeministri u bën peshqesh, jo një, por dy ministra të lidhur me krimin.
Po ashtu e dimë, sikurse e di çdo shqiptar, që policia nuk mund të ketë asnjë forcë përballë krimit, kur me urdhër politik një pjesë e saj përdoret për të ruajtur parcelat e hashashit apo si punëtorë krahu për të ngarkuar gomonet e trafikantëve.
Shqiptarët e dinë që policia e drejtuar nga ushtarët e Edi Ramës, nuk u shërben atyre por interesave të oligarkëve, kur forcat e rendit përdoren për të hedhur gaz lotësjellës për të nxjerrë fëmijë 5 vjeçarë nga shtëpitë e tyre për të mbrojtur grabitjen e pronës nga mafia e ndërtimit, apo për të shembur në mënyrë barbare dhe antikushtetuese Teatrin Kombëtar.
Shqiptarët e kanë të qartë se asnjë punojnës i ndershëm i policisë nuk vepron dot kundër krimit, kundër të fortëve, për sa kohë ata janë ortakë të pushtetit.
Prandaj nëse Rama kërkon të infiltruarit në policinë e shtetit, le të fillojë të pyes veten për ata që mblodhi rreth vetes në atë sallë.
Duke nisur nga Ardi Veliu, që jo më larg se 3 muaj më parë, mashtroi shqiptarët për të mbuluar lidhjet e Ramës me kriminelët që blenë vota për të në Elbasan.
Gjovalin Loka, i shkarkuar nga Drejtor i Rendit Publik pasi ka nxjerrë të dhëna për llogari të një grupi kriminal në veri, që është përfshirë në kanabzimin e Shkodrës dhe Lezhës, i përfshirë gjithashtu në procesin zgjedhor në Elbasan.
Edmond Traga, i emëruar në Berat, një nga zonat më të begata për kultivimin e hashashit, që shkon aty me eksperiencën me të cilën lejoi kanabizimin e Dibrës kur qarku u kthye në hambar droge.
Neritan Nallbati, i lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, apo Oltion Bitri, mik personal i Ardi Veliut, i njohur si gjobvënës i lokaleve të bllokut dhe ushtrues presionesh gjatë zgjedhjeve të ndryshme në favor të pushtetit.
Lorenc Shehu, gjobvënës për subjektet e OFL-së, që u përfshi në fushatën zgjedhore me grupet kriminale të Shijakut, në shërbim të Ardian Celën dhe Vangjush Dako. Apo Niko Brahimaj, që sipas SHISH paguhej për informacionet që jepte, dhe ka favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi.
E kështu me rradhë mund të listohen emrat e gjithë kësaj rokade që Rama quan reformë, por që në të vërtetë mund të përkufizohet si reformimi i klanit të sekserëve të Ardi Veliut.
Shqiptarët dhe familjet e tyre nuk meritojnë këtë tallje me rendin dhe sigurinë. Policët e ndershëm nuk meritojnë riciklime që shërbejnë vetëm si makiazh për regjim, ndërkohë që shteti është gjunjëzuar para krimit të bërë njësh me pushtetin.
Policia e Shteti do t’u ktheht qytetarëve vetëm kur të ndëshkohet modeli i krijuar nga Edi Rama, vetëm kur të kur të ndëshkohen lidhjet e pushtetit me krimin.