Gjykatësi Agron Zhukri është përzgjedhur për të shqyrtuar kërkesën e depozituar në gjykatë nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së për regjistrimin e ndryshimeve statutore.
Në njoftim thuhej se çështja është regjistruar dhe është në pritje për t’ju nënshtruar procesit të shortimit. Brenda 48 orësh në Gjykatën e Tiranës u depozituan dy kërkesa të veçanta për ndryshime të statutit të Partisë Demokratike.
Në kërkesën e depozituar të martën, Partia Demokratike kërkoi pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të partisë dhe organeve të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të 17 korrikut 2021.
Ndërsa të mërkurën Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i kërkoi gjykatës të pasqyrojë ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania”.
Dy kërkesat e njëjta në objekt, por jo në përmbajtje, priten të shqyrtohen të veçuara në Gjykatën e kryeqytetit. Kërkesa për ndryshimet statusore të Kuvendit të 17 korrikut do të shqyrtohet nga gjyqtarja Blerina Muça.
/Priza.al/